E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ujësjellës Kanalizime Tiranë, bashkëpunim me BB si pjesë e masterplanit rajonal

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) po bashkëpunon ngushtë me Bankën Botërore për Strategjinë Kombëtare të Integruar për Higjienizimin dhe Planifikimin e Investimeve, pjesë e masterplanit rajonal për Tiranën. Përfaqësues të UKT-së dhe Bankës Botërore diskutuan piketat e bashkëpunimit për përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë, për komunitetin. BB bën të ditur se, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), tashmë është pjesë e projektit Shoqëritë UK të së Ardhmes – Utility of the Future (UoF), dhe po punon pareshtur me ekspertët e BB-së, për përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe rrjetit të kanalizimeve për banorët e vet. Në një takim të fundit zyrtarët e UKT diskutuan me përfaqësues të Bankës Botërore dhe Qendrës së Ekselencës të programit Shoqëritë ujësjellës kanalizime të së ardhmes, (UoF-CoE) mbi hapat e mëtejshëm për zbatimin e suksesshëm të këtij projektit transformativ që parashikon zbatimin e investimeve të reja në përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit shpërndarës të ujit por mbi të gjitha në menaxhimin administrativ të UKT-së. UKT është një nga 15 ndërmarrjet e përzgjedhura nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që i bashkohen kësaj nisme prestigjioze të mbështetur nga BB dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike. .

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›