E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Barnat e falsifikuara po kërcënojnë jetën e pacientëve

Sipas ministrit të MSH-së, Vasili, të dhënat e OBSH-së tregojnë se 1/3 e barnave në vendet në zhvillim janë të falsifikuara. Ne importojmë barna, ndaj nuk përjashtohemi

Për kontrollin e barnave të falsifikuara në treg kërkohet një strategji kombëtare. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë konferencës së djeshme me temë për hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër barnave të falsifikuara.


Ministri Vasili pohon se megjithëse është bërë dhe vazhdon të bëhet shumë punë për përmirësimin e vazhdueshëm të ligjeve dhe rregulloreve në funksion të sigurimit dhe përmirësimit të jetës së pacienteve mbetet akoma shumë punë për t'u bërë. "Doja të ndalesha veçanërisht në sfidat, me të cilat po përballet e gjithë bota moderne sot. Kjo ka të bëjë me barnat e falsifikuara.


Këto barna janë një kërcënim i vazhdueshëm për jetën e gjithë atyre që përdorin barna", pohon Vasili, duke shtuar se për shkak të vështirësisë që ekziston në identifikimin dhe njohjen e këtyre barnave bëhet akoma më e vështirë lufta ndaj këtij fenomeni sa të shëmtuar aq dhe të rrezikshëm për jetën e të gjithëve.


Statistikat e viteve të fundit, sipas tij, tregojnë rritje të këtij fenomeni shumë shqetësues dhe kërcënues, sepse OBSH ka llogaritur që 10 % e barnave në nivel botëror dhe 1/3 e barnave në vendet në zhvillim janë të falsifikuara.


Sipas tij, barnat e falsifikuara janë tashmë një fenomen i vërtetë mbarëbotëror, fillimisht mendohej që prekte vetëm vendet në zhvillim, tashmë dihet që prek dhe vende shumë të zhvilluara. Ndërkohë, ai shpjegon se barnat e falsifikuara të zbuluara nëpër botë zakonisht përmbajnë një sasi të ulët të principit aktiv, gjithsesi në raste më të rralla janë zbuluar barna me principin aktiv të gabuar ose pa princip aktiv fare.


"Në Shqipëri nuk prodhohen barna të falsifikuara, gjithsesi si shumë shtete të tjera që na rrethojnë, ne jemi një vend përdorues barnash që vijnë edhe nga jashtë kufijve, rrjedhimisht nuk duhet ta shikojmë veten tonë jashtë këtij rreziku potencial", - pohon Vasili, duke shtuar se shumë shtete perëndimore kanë krijuar strategji të posaçme për luftën kundra barnave të falsifikuara. Ka ardhur koha që dhe Shqipëria të krijojë një të tillë, duke mos mbetur pas në përballjen e kësaj sfide kërcënuese për jetën e gjithë atyre njerëzve që janë përdorues barnash.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›