Uji i helmuar, vazhdojnë pacientët e sëmurë
Situata epidemike në Rrethin e Mallakastrës nuk cilësohet ende e kapërcyer. Në spitalin civil të qendrës së Mallakastrës, Ballsh, vijojnë të paraqiten pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Edhe pse intensiteti i vizitave dhe shtrimeve të personave të prekur nga epidemia nuk është si në ditët e para, ende autoritetet shëndetësore lokale nuk kanë dalë nga gjendja “e jashtëzakonshme”.
Burimet zyrtare spitalore tregojnë për gazetën “Shqip” se paraqiten për ndihmë mjekësore 10 persona në 24 orë, ndërkohë që shumica e tyre vizitohen në spital për herë të tretë apo të katërt. “Kjo ka sjellë që të dyshojmë se virusi është prezent tek ata persona që vijnë për të disatën herë në spital”, sqaruan mjekët e spitalit të Ballshit.
Banorët e alarmuar nga mjekimet periodike të javës së fundit, si dhe nga mospërdorimi i ujit, kanë kërkuar që autoritetet lokale dhe pushteti qendror t’i japin zgjidhje situatës së Ballshit.
Nga ana tjetër, këshilli bashkiak është përfshirë nga debatet, pasi ka kërkuar mbledhjen e bordin drejtues të Ujësjellësit për shpjegimin e situatës. Drejtuesit dhe anëtarët e këtij bordi jo vetëm që nuk kanë pasur një informacion të saktë për situatën epidemike, por kanë përjashtuar mundësinë se uji është shkaku i epidemisë. Drejtori i Ujësjellësit, Shyqo Metaj, dhe nënkryetari i bashkisë, Ballsh Arjan Llanaj, janë të mendimit se uji nuk është i ndotur dhe nuk mund të flitet se është shkaktar i përhapjes së epidemisë. Pavarësisht pretendimit të kreut të Ujësjellësit dhe përfaqësuesit të bashkisë, investimet në ujësjellës dhe në rrjetin shpërndarës për shumë vite kanë qenë të pakta. Nga ana tjetër, policia lokale ka thënë se ka nisur hetim për epideminë e 10 ditëve të shkuara. Burime nga Komisariati i Policisë Ballsh tregojnë se ka emra konkretë të personave që janë vënë nën hetim. “E ardhmja e personave nën hetim mund të shkojë deri në pranga, kjo pas hetimeve që janë marrë përsipër edhe nga prokuroria”, sqarojnë zyrtarët e policisë.
#