E Diel, 1 Nëntor 2026

Një leksion kinematografik: Si të jetojmë pa teknologjinë

Festivali “Prolog Giffoni” takon fëmijët dhe të rinjtë në qytetin e Vlorës

A mund ta mendojë një fëmijë sot botën pa teknologjinë? Pa pasur një televizor, pa mundur të ndjekë programet e preferuara, pa përdorur ilaçet në këmbën e tij të vrarë, duke besuar se gjithçka është në lëvizje edhe përtej vdekjes. Ky është veçse sfondi në të cilin regjisori suedez, Linus Torell, i ka vendosur ngjarjet e filmit “Misa dei Lupi-Misa Mi” (Misa, mikja e ujqërve). Këto pyetje godisnin natyrshëm mendjen e një të rrituri, ndërkohë që dëgjonte të gumëzhinin të qeshurat e fëmijëve, të cilët dje paradite e ndiqnin këtë film, të ulur në teatrin “Petro Marko” të Vlorës. “Misa, mikja e ujqërve” dhe “Ikingu”, ishin filmat që çelën dje “Prolog Giffoni”-n në Vlorë, qyteti i dytë ku ky format u ndal pas Sarandës. Banderolat në rrugë dhe fëmijë të shkollave 9-vjeçare që shtyhen para derës së teatrit në mungesë të një kinemaje, e bëjnë të dukshme atmosferën. Misa (Kim Jansson), protagonistja e filmit, nuk është vetëm një fëmijë, është tipizim i fëmijëve të kohëve moderne. E ndier e braktisur nga i ati, i cili pas vdekjes së nënës së saj, vendos të rimartohet, vajza vendos të shkojë te gjyshja në Laponinë suedeze. Aty është rritur edhe mamaja e saj, që tashmë është përtej. Por Misa, 10-vjeçarja e rritur në Stokholm, gjen atje një botë thuajse pagane. Gjyshja e saj, e ashpër në pamje e me një të folur që e përforcon më shumë dukjen, i shpërfill rregullat strikte me të cilat rritet sot një fëmijë. Ajo nuk është nga ato që të përkëdhel, nuk ngulmon të shkosh në krevat se shkoi ora apo të mos pish kafe se je një vajzë e vogël. Në shtëpinë e saj nuk ka një televizor dhe të vetmit idhuj që mund të shihen janë yjet në qiell. Në rrekjen e saj për t’u bërë pjesë e kësaj jete të re, Misa njihet me Gustavin, një djalë vendas. Fëmijët në sallë, individë të një brezi që i njohin shumë pak privimet, qeshin kur ai shtriqet të pijë ujë në një rrëkezë mali. Të tjerë aprovojnë me ndonjë pasthirrmë reagimin e Misës, e mësuar që uji pihet vetëm nga rubineti. Por shqetësimi më i madh i këtij komuniteti, pjesë e të cilit bëhet edhe vajza 10-vjeçare, është prania e ujqërve. Gjuetarë pa leje punësohen për t’i zhdukur. E shtyrë nga kureshtja, njëkohësisht e frenuar edhe nga frika, Misa vihet në ndjekje të një ujkonje, që i afrohet shtëpisë së gjyshes së saj. Ajo që zbulon e ngazëllen: në strofën e saj janë dy këlyshë të vegjël që rrezikojnë të zhduken. Misa, e cila mbrëmjeve kërkon një shenjë nga e ëma për praninë e saj, takon gjyshen e Gustavit, përmes së cilës njeh kulturën arkaike nomade, sipas së cilës gjithçka është në lëvizje edhe pas vdekjes. Të shtënat e një nate e zgjojnë vogëlushen. Të nesërmen mësohet se ujkonja ishte vrarë. Teksa rend drejt strofullës së të vegjëlve, ajo ka vetëm një mendim: t’i shpëtojë nga gjuetarët. I merr në çantë dhe largohet pa ditur se ku, ndërsa qentë shkojnë pas erës e gjuetarët pas tyre. Gustavi e ndihmon që ajo t’u shpëtojë gjuetarëve e të arrijë t’i çojë këlyshët e vegjël te babai i tyre ujk. Fëmijët janë shumë entuziastë në përfundim të filmit. Teksa moderatorja e festivalit, Silvana Lutaj, koordinatorja e eventeve në “Tring Digital”, kërkon dikë në sallë të flasë, disa duar ngrihen. Do t’i shpëtonit ju këlyshët siç bëri Misa? Përgjigjet ndryshojnë e po ashtu argumentet që japin. Diskutimet të bëjnë të kuptosh se këta fëmijë e të rinj kanë nevojë të shprehen, kanë një botë të tyren që shpesh na duket e çuditshme, kanë shqetësime dhe ëndrra. Shohin një pjesë nga vetja te këto realizime filmike, që ndonëse fillesën nuk e kanë nga një realitet shqiptar, ngacmojnë mendimet. Projeksionet e filmave për jurinë e “Generation mbi 12” vazhduan edhe dje pasdite, ndërsa sot projeksionet do t’u kushtohen të rinjve. Pas Vlorës, “Prolog Giffoni” do të shkojë në qytetin e Pogradecit, për takime të tjera filmike me fëmijë e të rinj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›