E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i ndotur, fluks pacientësh në spital

 

Ura Vajgurore

Mjekët pohojnë se të shtruarit kanë bark e të vjella, këputje trupi dhe simptoma të tjera karakteristike

URA-VAJGURORE- Burimet zyrtare nga reparti infektiv i spitalit rajonal të Beratit bëjnë të ditur se ditët e fundit janë paraqitur disa banorë nga Ura-Vajgurore të sëmurë nga Gastrofiroidi (bark e të vjella, këputje trupi etj) . Të gjitha këto janë simptoma të sëmundjeve që vijnë nga vapa ose ujët e ndotur, që në këtë rast sipas mjekëve shkaku kryesor i rënies së saj është uji i ndotur. Po nga reparti i pediatrisë të këtij spitali pohojnë se ditët e fundit ka pasur dhe fëmijë me të njëjtat siptoma të kësaj sëmundjeje. Sipas mjekut infeksionit, Petraq Ceca, pacientët janë shtruar në repartin infektiv me bark e të vjella, temperaturë e lartë si dhe këputje të trupit etj. Këto sëmundje infektive mendohet se vijnë nga përdorimi i ushqimeve të skaduara si edhe nga uji i ndotur. Të afërt të familjarëve të sëmurë pohojnë për gazetën se ende banorët e Urës-Vajgurore konsumojnë ujin e ndotur nga rubinetat e tyre. Ndonëse me dhjetëra herë banorët e qytetit të Urës Vajgurore kanë protestuar dhe i kanë kërkuar pushtetit lokal një zgjidhje për problemin e ujit të pijshëm, ende ky i fundit nuk ka mundur që të zgjidhë këtë problem madhor për 12 mijë banorët e saj. Burimi nga ku pompat thithin ujin për të furnizuar të gjithë këta banorë dhe të fshatrave përreth ndodhet vetëm 25 metra larg bregut të lumit Osum, si dhe ngjitur me kanalin e ujërave të zeza të lagjes “Gur i Bardhë”, “18 tetori” etj. Sipas të njëjtave burime, kjo ka bërë që disa herë në këto lagje dhe në këtë qytet të bien epidemi të ndryshme deri në rastin më flagrant të pesë viteve më parë të rënies së sëmundjese së kolerës, e cila solli dhe një viktimë. Drejtori i qëndrës shëndetësore të Urës Vajgurore, mjeku Ibrahim Sade, pohoi se deri sa të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm në Urës Vajgurore po aq kohë do të vazhdojë rënia e epidemisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›