E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji, pasuri që kursehet përmes ekonomisë qarkulluese

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Ekonomia qarkulluese po gjen zbatim edhe përmes sipërmarrjeve të reja që synojnë ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve.

Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj ndau sot në rrjetet sociale shembullin e kompanisë “Ecosoft”, që sjell teknologji për trajtimin, filtrimin dhe ripërdorimin e ujit, duke reduktuar konsumin e panevojshëm dhe duke mundësuar përdorimin më eficient të një prej burimeve tona më të çmuara natyrore.

Ecosoft Albania operon në tregun shqiptar që nga viti 2018 duke ofruar zgjidhje të drejtpërdrejta për familjarët dhe bizneset.

“Për familjarët ofrojmë sisteme të filtrimit të ujit të pijshëm dhe sisteme të trajtimit të ujit sanitar. Ndërsa për bizneset ofrojmë sisteme të trajtimit të ujit sanitar dhe gjithashtu të trajtimit të ujërave të zeza”, thuhet në prezantimin e kompanisë.

“Sot, një nga problematikat më të mëdha mjedisore është përdorimi masiv i plastikës. Ecosoft ka marrë pjesë në shumë projekte për ta reduktuar atë. Dhe së fundmi, projekti i cili është mbështetur nga partnerët tanë siç është Bashkimi Evropian, GIZ dhe Ministria e Mjedisit, është ‘Move More, Less Plastic’, ku ka si qëllim reduktimin e plastikës gjatë aktiviteve në lëvizje. Që nga viti 2020, vetëm sistemet e filtrimit të ujit të pijshëm kanë reduktuar çdo vit rreth 19 mijë tonë mbetje plastike”, theksohet në prezantimin e kompanisë.

Mbrojtja e mjedisit për “Ecosoft Albania” nuk është thjesht një fushatë e izoluar marketingu, por është një model i qëndrueshëm biznesi, ku si qëllim ka parandalimin e ndotjes mjedisore.

Ministri Jaupaj tha se “në ekonominë qarkulluese, uji nuk është një burim që përdoret vetëm një herë, por një pasuri që duhet kursyer, trajtuar dhe, aty ku është e mundur, ripërdorur”.

“Më pak shpërdorim, më pak presion mbi burimet ujore dhe më shumë teknologji në shërbim të mjedisit”, tha ai.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›