E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji si dritat, çmimi do të ndahet në blloqe

Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Avni Dervishi

Metodologjia e re, ERRU: Kush harxhon më shumë, paguan më shtrenjtë.

Performanca e operatorëve që shërbejnë në furnizimin me ujë të qyteteve, do të jetë pika kyçe që do të merret parasysh në rastet kur kërkohet rritje çmimi. Enti Rregullator i Ujit në raportin vjetor të vitit të kaluar shpjegon edhe mënyrën se si do të veprohet për vendosjen e tarifave të reja, kur ato të kërkohen nga ujësjellësit. Sikurse dhe dihet, ERRU punoi nga afër me GIZ për të hartuar një metodologji të saktë, e cila do të synonte llogaritjen e tarifave me synimin e mbulimit të kostove për operatorët e tregut, por kjo me kushtin që ata të bëhen eficientë.
Metodologjia
Metodologjia e vendosjes së tarifave sjell një sërë risish krahasuar me metodologjinë e vjetër që zbatonte Enti Rregullator i Ujit. Në thelb të saj qëndrojnë stimuj për operatorët të cilët do të synojnë arritjen e një qëndrueshmërie financiare për këto kompani, të cilat në shumicën e rasteve nuk arrijnë të mbulojnë dot kostot. Në një farë mënyre, struktura e tarifës do të përgatitet nga vetë operatorët duke përfshirë këtu mbulimin e kostove, efikasitetin menaxhues, përballueshmërinë (kur vjen fjala për grupet në nevojë) dhe efikasitetin mjedisor, çka do të thotë që ata që shfrytëzojnë më shumë burimet, do të tarifohen edhe më shtrenjtë.
Çmimi sipas kategorisë
Për herë të parë në faturimin e ujit të harxhuar nga konsumatorët do të futet edhe koncepti i bllokut, që aktualisht funksionon për sektorin e energjisë. Kështu, blloku i parë do të jetë blloku që harxhon më pak dhe që do të tarifohet më pak, ndërkohë që blloku i dytë pak më shtrenjtë e kështu me radhë sipas ndarjes që do të bëhet. Ndër risitë që sjell kjo metodologji, është edhe  ndarja e tarifës në dy komponentë, komponenti fiks që do të mbulojë kostot fikse dhe komponenti volumetrik, që do të lidhet me sasinë e ujit të konsumuar. Po kështu është edhe tarifa bllok në rritje, ku blloku i parë do të ketë tarifë më të ulët dhe në blloqet e tjera tarifa do të vijë në rritje, pra për nivele të larta konsumi do të ketë tarifë me të lartë, thuhet në raportin e ERRU.

Humbjet në rrjet, 63 për qind e totalit
Enti Rregullator i Ujit vlerëson se në vitin 2011 është rritur humbja e ujit. Nga totali i prodhimit, 63 për qind e tij nuk faturohet. Uji i pafaturuar përfaqëson diferencën ndërmjet volumit të ujit të prodhuar dhe atij të faturuar. Në gjuhën ekonomike përfaqëson sasinë e ujit që nuk sjell të ardhura (humbjet) dhe është i lidhur me qëndrueshmërinë financiare të shoqërisë. Në vitin 2011 niveli mesatar i humbjeve rezulton të jetë në të njëjtin nivel me atë të vitit 2010. Mesatarisht niveli i humbjeve në sektor është 63% e ujit të prodhuar, thuhet në raportin vjetor të ERRU. Sipas këtij institucioni, një pjesë e humbjeve është teknikisht e pranueshme, por nga ana tjetër është një përqindje e lartë e humbjeve që vijnë si rezultat i amortizimit të rrjetit apo lidhjeve ilegale apo mungesës së instalimit të matëseve. ERRU edhe më herët ka këshilluar për më shumë punë nga operatorët e tregut, për të bërë të mundur uljen e humbjeve dhe ujit të pafaturuar.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›