E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja, edhe 13 ditë afat për konsensusin

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Konferenca e Kryetarëve ka shtyrë afatin e komisionit dypalësh.

PD-PS, larg për votimin e dekreteve dhe fjalën e Kryeministrit.

Maxhoranca dhe opozita kanë zgjatur edhe me 13 ditë të tjera afatin e grupit të punës për reformën parlamentare. Burime zyrtare bënë të ditur dje për gazetën se me një vendim të Konferencës së Kryetarëve, grupi i punës do të tentojë edhe për dy javë të tjera të gjejë konsensusin për dy çështje të cilat po mbajnë ende larg njëra-tjetrës pozitën dhe opozitën. Konkretisht, bëhet fjalë për ndryshimin e rregullores në pikën ku përcaktohet mënyra se si votohen dekretet e ardhura nga Presidenti. Sipas opozitës, ky votim duhet të bëhet i fshehtë, siç ka qenë i përcaktuar deri në vitin 2006, ndërkohë që për maxhorancën votimi duhet të jetë i hapur. Pika e dytë ku palët kanë qëndrime të ndryshime, është ajo e përcaktimit të kohës së Kryeministrit. Sipas opozitës, Kryeministri duhet të ketë një minutash të përcaktuar dhe të mos flasë sa herë që ta kërkojë fjalën, ndërsa maxhoranca i referohet Kushtetutës, ku është e sanksionuar që anëtari i Këshillit të Ministrave flet sa herë e kërkon fjalën. PS është tërhequr nga kërkesa që 60-minutëshi i lirë të kalojë në fillim të seancës. Gjithashtu, opozita ka hequr dorë nga kërkesa që në rastin kur një ministër nuk i përgjigjet deputetit për interpelancë, çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese; por edhe nga kërkesa për të shfuqizuar pikën 5, të nenit 64 të Rregullores, që flet për masat disiplinore ndaj deputetëve kur ata zaptojnë foltoren e Kuvendit. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, nënkryetarët e Parlamentit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare nuk do të jenë më të ftuar në Konferencën e Kryetarëve, por do të jenë anëtarë me të drejta të plota. Gjithashtu, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të zhvillohet jo më herët se 24 orë pas njoftimit të saj. PD-ja pranoi propozimin e opozitës që masa disiplinore për deputetët nga 21 ditë, të bëhet sërish siç ka qenë, 15 ditë.

Dekretet
Maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që të ndryshohet pika 7 e nenit 111, që i jepte të drejtë Komisionit Parlamentar të mos shqyrtonte një kandidaturë në rast se ajo nuk i plotësonte kriteret kushtetuese. Dispozita do të ndryshojë bazuar në parimin që vendimmarrja në përfundim të procesit i përket seancës plenare dhe jo Komisionit Parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›