E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujkani: Ëndrra ime është Milani, pëlqej Bufon, adhuroj Julio Sesar

Portieri
Talenti shqiptar rrëfen gjithçka rreth tij në median lokale të Novarës

Mediat lokale të Novarës janë interesuar për një futbollist të huaj, që luan te skuadra e qytetit të tyre. Ai është Sajmir Ujkani, kosovari që vesh bluzën e Kombëtares së Shqipërisë. Në një intervistë të gjatë, portieri me pasaportë belge dhe shqiptare rrëfen gjithçka rreth tij. E nis me Kosovën. “Në Kosovë gjërat po ecin mirë, njerëzit punojnë shumë për të përmirësuar vendin dhe infrastrukturën, shprehet Ujkani. 10 vite më parë ishim në luftë, por tani po bëjmë hapa gjigantë”. Një tjetër referim e ka bërë në lidhje me bashkëkombësit, që luajnë në Kombëtaren shqiptare. “Jemi 5 lojtarë në formacionin titullar. Kapiteni Lorik Cana, që luan në Angli te Sandërlendi, dhe është një shembull i Kosovës, ashtu si unë. Në të ardhme do të shikojmë një Kombëtare të Kosovës, po punohet, jemi në pritje”. Ndërkohë që flet edhe për 6 muajt te Novara. “Në fakt ambientohem shpejt kudo që të shkoj. Nga Kosova në moshën 6-vjeçare shkova në Belgjikë. Te Palermo, pas vetëm një muaji, ndihesha shumë mirë, ndihesha si vendas. Edhe te Novara jam shumë mirë, jetoj në qendër. Këtu gjithçka funksion në mënyrë perfekte, është më mirë se në Palermo, ka një klub fantastik”. Ditët jashtë fushës Ujkani i kalon duke ndenjur me miqtë, ose duke bërë xhiro me prindërit që i vijnë shpesh për vizitë. Biskotat e Novarës janë një nga produktet e zonës që ai e pëlqen shumë. I ha në shtëpi duke luajtur “Playstation”. Përballë shtëpisë ka “Cupola”-n dhe për t’u zgjuar në mëngjes nuk ka nevojë të vërë orën me zile, pasi e zgjojnë kambanat. Gazetari vendas është i interesuar se cili është klubi ku ai ëndërron të luajë në të ardhme dhe Ujkani nuk nguron ta zbulojë: “Po, dua të luaj te Milani”. Ndërkohë që portieri i cili e inspiron që fëmijë është Bufon: “Ai është një model për mua, por kohët e fundit admiroj më shumë Julio Sesar të Interit”. Në fund gazetari vendas i drejtohet me një “faleminderit” në shqip.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›