Fitojnë laçianët, por në fund ka tension
Laçi-Shkumbini 1-0
Laçi ka marrë një fitore të rëndësishme dje pasdite në fushën e tij, në sfidën e javës së 20-të të Kategorisë Superiore përballë Shkumbinit, por përfundimi i takimit ka sjellë tension, pas kundërshtimeve të miqve për gjykim të padrejtë. Laçianëve u ka mjaftuar një 11-metërsh në minutën e 56-të, që u shndërrua në gol nga Nora. Anësori Tartari ka qenë ai që ka akorduar këtë 11-metërsh, i cili solli edhe golin e vetëm të takimit. Kanë qenë të shumta rastet si për Laçin, ashtu edhe për Shkumbinin, sidomos në pjesën e dytë, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Pashaj. Në fundin e ndeshjes është krijuar tension, kur në fushë ka zbritur deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, me një pjesë të stafit të Shkumbinit, duke ofenduar gjyqtarin e takimit, që me vështirësi ka arritur të dalë nga fusha e blertë.
#