E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja si fitohet

Kryetari socialdemokrat rrëfen recetën e tij të re me të cilën ai mendon se e majta do të dalë triumfuese në zgjedhjet e ardhshme

Skënder Gjinushi, një nga ideologët e së majtës aktuale në Shqipëri, tha dje se vetëm bashkimi i të gjithë përrenjve të së majtës në një lumë të vetëm do të mund të shembë barrierën e të qëndruarit në opozitë duke garantuar fitoren e sigurt të zgjedhjeve të ardhshme. Në një intervistë për Korrierin, “profesori” shtjelloi gjithë formulën e tij, nga koalicionet e përbëra tek proporcionali rajonal, nga e cila do të përftohet një trupë elektorale solide, pa rrjedhje vote dhe me rezultat të pëlqyeshëm për të majtën. Ai paralajmëroi se në një pjesë të rajoneve, nëse partitë dalin veç e veç, mund të humbiste ndonjë mandat deputeti, ndërsa me daljen si koalicion, ky efekt negativ shmanget. Sipas Gjinushit në bazë të funksionimit të koalicioneve do të mund të zgjidhen edhe përplasjet paselektorale, pasi pushteti ndahet fare thjesht në bazë të përqindjes së marrë në zgjedhje. Ndërkaq, bie në sy fakti që. të paktën në disa rajone, partitë që janë pjesë e koalicionit do të kenë lista të përbashkët

-Pritet që të fillojë puna për kodin, por le të themi që  e majta i ka filluar më herët negociatat, ndryshe nga e djathta. Si e shikoni ecurinë?

Skënder Gjinushi: “Sigurisht që as negociatat nuk janë herët, por as puna nuk është herët. Duhet kuptuar që negociata ose kontakt brenda së majtës ka pasur vazhdimisht, madje ka pasur një platformë që partitë e së majtës kanë pasur një bashkëpunim për një reformë adekuate në Shqipëri dhe për një sistem të pastër kushtetues e pa “Dushk”. Kuptohet që në këtë kuadër bashkëpunimi nuk ka munguar. Është shumë e rëndësishme sesi do të përkthehet sistemi proporcionali rajonal në kushtet e Shqipërisë, pasi nuk është vetëm Spanja, janë me dhjetëra shtete që e aplikojnë dhe të gjithë e aplikojnë për të dhënë një rezultat sa më afër proporcionalit. Pra, për ta bërë sa më demokratike. I kemi mbajtur këto ura me PS-së, duke bërë gjithmonë presion dhe duke shprehur vlerësimin që neve duhet ta përkthejmë drejt këtë sistem në kodin zgjedhor. Mbi të gjitha, sistemi nuk duhet të jetë pengesë për bashkëpunim, por nxitës për të. Nuk duhet të mbyllë hapësirat e bashkëpunimit. Një bashkëpunim midis të majtë mbetet në interes të vetë PS-së, pasi ajo në çdo rast i duhet fitorja në 2009-ën dhe kjo fitore nuk mund të arrihet e vetme. Në këtë drejtim kanë qenë negocimet midis partive tona. Ka një reflektim, ka një qëndrim për atë, që sistemi ynë me rastin e konkretizimit në kodin zgjedhor, të lejojë, ose më saktë të mos pengojë koalicionet e ndershme. Koalicion ku partitë bashkohen për shkak të elektoratit, për shkak të platformës, programit. Pra, është bashkim vlerash për të optimizuar fitoren e tyre ndaj kundërshtarit. Ndërkohë asnjëra nuk jeton në kurriz të njëra-tjetrës. Pra, secila parti jep kontributin e saj dhe në bazë të votës së merr dhe si parti individualisht ka dhe përfaqësimin qoftë në kuvend, qoftë në pushtetin e ardhshëm. Pra, një koalicion i tillë, që në proporcional është shumë i lehtë për tu realizuar absolutisht i heq të gjitha keqkuptimet, lehtëson marrëdhëniet mes aleatëve. Sepse kuptohet që shpesh herë përplasjet midis aleatëve nuk janë për programe, parime, por janë thjesht për interesa. Shpesh kanë problemet si ta ndajnë pushtetin, kur pushteti ndahet proporcionalisht dhe sipas kontributit do të kërkosh edhe marrjen e përgjegjësive, marrjen e detyrave apo marrjen e privilegjeve, quaje si të duash, ndonëse pushteti duhet parë së pari, si përgjegjësi, pastaj si privilegj ose si interes partiak. Këtu po shkohet. Për t’u përshëndetur është fakti që nuk pengohet koalicioni dhe jo siç duan ta servirin disa, sikur po shpiket ndonjë lloj koalicioni i veçantë. Koalicionet janë gjëja më e natyrshme në një demokraci”.

-Ka ngelur më gjë për t’u diskutuar me PS-në?

“Kuptohet që këto janë vetëm biseda, sepse kodi ende nuk është shkruar. Pragu i sistemit varion nga 1 për qind deri në 5 apo 10 për qind sipas rajonit. Në kushtet e Shqipërisë, nëse do të zbatohej në mënyrë formale, do të jepte dhe pragje 15 apo 20 për qind. Kjo ka qenë edhe pika më e nxehtë. Për këtë ka një negocim për të lejuar koalicionet dhe për të mos i deformuar koalicionet. Për të mos bërë që një parti, ose i pari të punojnë në kurriz të të dytit. Për sa kohë që këto nuk janë shkruar ende, kuptohet që është e nevojshme të ketë negocime dhe nuk mund të quhet e mbyllur, sepse ende nuk është sanksionuar me vendim të komisionit e mbi të gjitha, me vendim të Kuvendit. Kur të marrë 84 vota në Kuvend do të dimë sesi do të funksionojë sistemi ynë”.

-Si arrin ta ulë pragun hyrja si koalicion i përbërë?

“Të hysh në teknika është e lodhshme, por është e thjeshtë. Nëse ne jemi dy parti dhe hyjmë veç e veç, atëherë kuptohet që po të konkurronim, p.sh. në Shkodër, atëherë në daç ti, në daç unë duhet të kapnim 8 për qind për një deputet, saç është pragu afërsisht në Shkodër. Në rast se ne paraqesim një listë, atëherë të dy bashkë, duke mbledhur votat, kapim këtë 8 për qindësh më lehtë sesa vetëm. Pra, e marrim një deputet dhe pastaj e ndajmë me njëri-tjetrin. Kush ka dalë më mirë merr deputetin. Sigurisht në Shkodër nëse përfiton ti ose unë, mund të ta kompensoj në Dibër, sepse i njëjti skenar funksionon edhe atje. Pra, nëse do të hynim veç, do të dilnim zero në Shkodër dhe zero në Dibër. Duke hyrë bashkë marrim një në Shkodër një në Dibër dhe një unë një ti. Kjo s’do quhet ulje pragu, sepse ti jep 5 për qind në Shkodër, unë jap 4, të dy bashkë bëjnë 9 dhe merr deputetin, por se merr qyl, sepse e ke marrë dhe me votat e mia. Kështu ulet pragu në thonjëza”.

-Lista në këtë rast është e përbashkët?

“Lista patjetër. Tani konkurrohet me lista, por listat mund të jenë monopartiake, mund të jenë edhe pluripartiake. Absolutisht, kudo që aplikohet sistemi rajonal, lejohen listat multipartiake. Madje po të lexosh literaturën, meqë Finlanda është vendi i parë që ka aplikuar sistemin rajonal dhe që relativisht ka një prag të lartë aty thuhet shprehimisht që partitë e vogla shpesh paraqiten me lista të përbashkëta në rajone të caktuara për të përballuar kualifikimin. Madje lejohen edhe koalicione rajonale. Pra, në aspektin që në një rajon bëhesh me një parti, në një rajon mund të hysh vetëm, në një rajon mund të bëhesh me një grup tjetër. Pra, ka edhe taktika të këtij lloji, sepse sistemet asnjëherë nuk janë shpikur për të vjedhur votat e njëri-tjetrit. Nëse ne e keqinterpretuam “Dushkun”, duke e quajtur si falje votash, por nëse falja e votave është quajtur e pamoralshme, vjedhja e votave është akoma më e pamoralshme”.

-Çfarë problemi do të kishte për LSI-në nëse bëhet pjesë e këtij koalicioni në bazë të kësaj që thatë ju?

“Nuk ka sistem që të pengojë koalicione, që të pengojë lista të përbashkëta. Dihet që në listë paraqiten që nga individi i pavarur që mund të hyjë “tek pulla”, parti e grup partish. Rrjedhimisht s’mund të ketë të keqe që në sistem parashikohen hapësira më të mëdha bashkëpunimi sesa mendohej më parë. Çdo mundësi bashkëpunimi është vetëm pozitive, sepse çdo parti, qoftë edhe LSI-së, i jep mundësinë në daç të konkurrojë më vete, në daç të lidhet me një aleat, në daç të futet në kuadrin e gjithë aleancës së majtë. Pra, ka edhe ajo mundësitë e saj të manovrimit e të bashkëpunimit. Kështu që këtu është pak e çuditshme që të quash negative një hap pozitiv dhe aq më shumë që as mund të mendohej që sistemi ta pengonte këtë. Në rast se PS-ja e PD-ja do të shkonin deri në pengimin e koalicioneve të tilla, kjo do të ishte një artificë. Nëse u imponua një sistem rajonal, ka dhe ajo të këqija. Kishim të drejtë të protestonim, sepse në fund të fundit, në kushtet e Shqipërisë e rrit pragun në mënyrë të panatyrshme. Në rast se edhe koalicionet nuk i lejon, pra dhe ato do t’i bësh monopol vetëm të të mëdhenjve, atëherë kjo nuk është më sistem demokratik fare. Kjo bën atë që elektorati të dijë të zgjedhë dhe midis alternativave, por dhe brenda vetë alternativës të zgjedhë partinë që do më shumë. Pra, ne konkurrojmë dhe me kundërshtarin, dhe me njëri-tjetrin, por ka një dallim: konkurrenca me kundërshtarin është unë ose ti, kurse konkurrenca brenda llojit është se ne i urojmë edhe njëri-tjetrit suksese, por preferojmë më shumë suksesin tonë”.

-Meqenëse të keqe nuk pati, çfarë avantazhesh mund të ketë zoti Meta ose ju nëse do të ishit në vend të tij, për të mos u bërë pjesë e këtij koalicioni?

“Ky sistem spanjoll do të zbatohej artificialisht, që është një deformim, sepse vetë spanjolli zbatohej në Spanjë për të lejuar partitë e vogla, madje edhe parti që kanë vetëm peshë rajonale. Në rastin e Shqipërisë sistemi spanjoll u nis me një tendencë të kundërt, për të eliminuar të vegjlit. Në këto kushte disa mendonin që e favorizonte, sepse kjo i detyron pastaj që të krijohen disa pole dhe që të vegjlit të jenë të detyruar që t’i bashkëngjiten një partie. Dhe ky është favori që mendonin se mund të nxirrnin disa, duke e bërë të detyrueshëm, madje deri denigrues sistemin për një numër partish. Kjo favorizonte atë parti që mendonte se nuk i shqetësonte sistemi, pra që kapnin 1 ose 2 deputetë në rajone. Pas kësaj kanë të garantuar edhe mbështetjen e disa të tjerëve dhe aq më shumë pastaj, duke parë klimën, ishte që partitë të mëdha nuk e preferuan bashkëpunimin. U duk se kishte një tendencë që ato të kontrollonin aleancat, çka do të bënte që shumë parti të preferonin më mirë lidhjen me një parti tjetër, sesa me PS-në ose me PD-në. Kjo është arsyeja pse disave iu pëlqeu ky konflikt i krijuar nga sistemi spanjoll. Kështu që ulja e pragut përmes koalicioneve patjetër që disa i dëmton, sepse nuk u jep aleanca të sigurta, por tashmë aleancat bëhen më me zgjedhje të lirë dhe duke qenë se bëhen me zgjedhje të lirë, disa e shikojnë veten të margjinalizuar në këtë zgjedhje”.

-Mund të themi nisur edhe nga takimi që patët dje me zotin Milo, se pozicionimi i tij tani është larg LSI-së?

“Po, derisa ne si PSD kemi luftuar vazhdimisht dhe tipari kryesor ka qenë bashkimi. E kemi paguar dhe këtë bashkim, sepse luftuam, p.sh. në 2007-ën dhe ne punuam për bashkimin, por bashkimi s’punoi për ne. Pra e majta na ka borxh në planin politik në këtë drejtim dhe nuk kemi ndërmend që edhe në 2009-ën të bëjmë të njëjtën sakrificë. Kur u imponua sistemi spanjoll “sade”, ne deklaruam hyrjen tonë vetëm. Ne gjatë gjithë kësaj kohe kemi thënë që e majta duhet të hyjë sa më e bashkuar. Por që të hyjë sa më e bashkuar, nuk mund të bëhet me aleanca të detyrueshme. Absolutisht përsëri duhet bashkëpunimi, por nëse janë të tipit detyrues, atëherë ato nuk janë demokratike. Patjetër që kjo stimulon pastaj vetëmbrojtje e mbijetesë. Kjo bën pastaj edhe aleanca jashtë aleancës së natyrshme, ose brenda një grupimi tjetër të majtë jashtë PS-së. Kurse tani, me këtë frymë të re, loja është e hapur, por taktika e do që poli i parë t’i takojë në çdo kohë të majtës. Pra, këtu nuk është puna e preferencës me kë parti, por taktika e do që, në rast se sistemi është i tillë, sido që të renditesh, ti në fund të fundit merr aq vend sa merr përqindje, atëherë interesi i vetë së majtës është që të jetë një pol sa më i madh. Krijimi i një poli që të jetë i pari në renditje, absolutisht është një domosdoshmëri dhe në këtë aspekt edhe PDS-ja dhe gjithkush që do të kontribuojë për fitoren e së majtës, duhet që si zgjidhje të parë të kishte dalje të përbashkët. Ndërsa në kushtet e mëparshme, ti s’kishe pse bëheshe thjesht “bisht”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›