Ukën, Hajdarin dhe Sylën nga “Bllaca 2” po i kërkon policia

Të arratisurit Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla do të burgosën nëse kapen nga policia. Mosparaqitja në seancën vendimtare në “Rastin Bllaca II” do t’iu kushtojë me burgim tre të dënuarve nga ky grup, pavarësisht se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Qarkut nuk është fuqizuar ende nga shkalla e tretë, raporton KTV.
Policia e Kosovës pranon se e ka fletarrestimin dhe në momentin që do t’i gjejë do t’i arrestojë. Por mbrojtja e të dënuarve ende nuk është në dijeni se klientëve të tyre u është lëshuar fletarrestim. Javën e kaluar për vrasjen e Ibush Kllokoqit janë dënuar Shpresim Uka me 15 vjet burgim, Sadik Abazi me 12, po aq sa është dënuar edhe Bekim Syla, ndërsa Shaban Syla ka marrë 8 vjet burgim dhe Driton Hajdari është dënuar me 7 vjet.
Ndërkaq, Shpresim Uka është dënuar edhe për tentim vrasje ndaj Adem Salihajt, në bashkëveprim me Shaban Sylën e Driton Hajdarin. Vendimi për dënim është dhënë pa prezencën e Shpresim Ukës, Driton Hajdarit dhe Bekim Sylës, të cilët nuk u paraqitën fare në gjykatë. Mbrojtja ka paralajmëruar ankesë në afat prej 15 ditësh./Indeksonline/