Ukraina po i largohet Evropës
Dy hipoteza të mundshme: Ukraina e di për ku është nisur dhe prandaj ndihet në siklet; Ukraina nuk di ku shkon, e përsëri ndihet e tillë: Kjo është panorama e trishtë që të ofron ky vend që kishte ngjallur aq shpresa të mahnitshme në Perëndim, në periudhën e “revolucionit portokalli” të viti 2004. Dënimi me shtatë vite burg i opozitares Julia Timoshenko, por çka është më kryesorja, edhe mosvënia e ujit në zjarr nga presidenti Viktor Janukoviç për t’i vënë fre zbatimit të këtij dënimi, dëshmojnë shkarjen që ka pësuar regjimi ukrainas qysh prej 18 muajsh. Një shkarje kjo që nuk gjen aspak pikëpuqje me BE-në dhe normat e saj. Edhe pse pandehma e një amnistie apo gjetja e një kleçke ligjore është gjithsesi e mundur për të shmangur përballjen me shtëpinë pa qira, regjimi ka vendosur t’i shkojë deri në fund larjes së hesapeve. E dënuar për shkak të tejkalimit të detyrës së kryeministres, duke nënshkruar një marrëveshje për gazin me Rusinë në janar të vitit 2009, Julia Timoshenko është shpallur e pandehur edhe për orvatjen e shpërdorimit të fondeve publike, çështje që zë fill në vitin 1995. Sakaq, dy hetime të tjera mbeten ende në pezull. Sa më tepër shtohen zërat e kritikës jashtë vendit, aq më tepër rritet edhe ngulmimi i autoriteteve vendase për të mos ndryshuar qëndrim. Këto autoritete kanë shprehur kundërshti ndaj “diktatit evropian” dhe janë përqendruar në ofrimin e provave për të dëshmuar korrupsionin e hamendësuar të znj.Timoshenko. Cilatdo qofshin kundërprovat e kësaj çështjeje, ato me shumë gjasa do të shpërfillen, për shkak se drejtësia nuk ofron garancitë e duhura të shtetit të së drejtës. Burgosja e Julia Timoshenkos qysh në muajin gusht, një muaj para se të niste procesi gjyqësor, nuk duket të ishte e planifikuar. Figura të rëndësishme si në gjirin e presidencës ashtu dhe nga radhët e Partisë, parashihnin një reagim të fortë nga jashtë vendit. Megjithatë nuk duhet anashkaluar edhe sjellja tipike pushtetare, edhe veprimet e befta e të pamatura, apo miopia strategjike dhe hakmarrja. Pa harruar edhe karakterin e z.Janukoviç. I mbarsur me kulturë sovjetike, ai shfaqet në Evropës si z.Jourdain te “Borgjezi fisnik”: pa kuptuar domethënien dhe pasojat e këtij veprimi. Në Rusi, te përndjekja gjyqësore e ish pronarit të grupit “Iukos”, Mikhaïl Khodorkovski-t, gërshetoheshin dy lloj interesash të pushtetit : copëtimi i perandorisë së tij; bërja gogol e shembull për miliarderë të tjerë, për t’i squllur. Nga ana tjetër: praktikat e ndjekura kundra personaliteteve mishëruese të “revolucionit portokalli” po japin efekt të kundërt. Burgosja i ofron znj.Timoshenko një legjitimitet të ri, ndërkohë që mbështetja e saj në popull ishte në rënie. Për më tepër, ky lloj tërbimi ka zgjuar amerikanët dhe evropianët, të cilët kishin shfaqur shenja shpërfilljeje ndaj zhvillimeve në Ukrainë, për shkak edhe të luftës së brendshme mes forcave portokalli. Kundërshtia ndaj regjimit kishte qenë e zbehtë deri në çastin kur z.Janukoviç kreu krejt i shpenguar të atilla ndryshime kushtetuese që e shpinin vendin drejt sistemit mirëfilli presidencial. Duke arritur të ngjallë ngacmime herë nga Brukseli e herë nga Moska, presidenti ukrainas nuk rreshti kurrë së dërguari shenja kundërthënëse. Busulla e tij: Interesat ekonomike dhe jo aleancat gjeopolitike. Doktrina e tij: mosbërja palë. Por, ndarja tradicionale e Ukrainës mes Perëndimit pro-evropian dhe Lindjes rusofone, nuk mund të puthitej aq kollaj në rrafshin e politikës së jashtme. Ukraina duhej të zgjidhte se nga (nuk)duhej të shkonte. Në prill të vitit 2010, presidenti ukrainas Janukoviç nënshkroi një marrëveshje me presidentin rus Dimitri Medvedev për rinovimin e kontratës së qëndrimit të flotës ruse në Sevastopol deri në vitin 2042. Në këmbim, z.Janukoviç deklaroi se do të rishikonte uljen e çmimit të gazit. Por Moska, ndryshe nga Kievi, e sheh këtë “faturë” si mjet dhe jo si qëllim; si një mënyrë për ta tërhequr Ukrainën në orbitën e ndikimit të saj, në pritje të jetësimit të projektit të Vladimir Putinit, për krijimin e “Bashkimit Euroaziatik”. Faza e parë lidhet me bindjen e Janukoviçit për t’iu bashkëngjitur “Bashkimit Doganor”, një marrëveshje kjo që është arritur ndërmjet Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Megjithatë, Ukraina e kundërshtoi këtë marrëveshje, edhe pse Rusia është aleati i saj kryesor në rrafsh ekonomik dhe njëherazi luan rolin kryesor në këtë “Bashkim” të përbërë nga vende që nuk janë të anëtarësuara në Organizatën Botërore të Tregtisë(OBT). Viktor Janukoviçi luan me kohën duke mbetur në pritje të korrjes së fryteve të shantazheve të tij ndaj Evropës, Pavarësisht raportit të Brukselit më 20 tetor, Kievi mendon se në dhjetor, ashtu siç ishte parashikuar, Brukseli do të nënshkruajë Marrëveshjen e Asocimit. Vështirësitë do të ndihen më pas në çastin e ratifikimit të marrëveshjes nga “Njëzeteshtatëshja”. Por, Janukoviçi mund të kërkojë dokumentin fillestar të kontratës me BE-në. Vendet evropiane janë të ndara në qëndrimet e tyre. Polonia dhe vendet baltike mbështesin fuqimisht firmosjen e marrëveshjes për të mos e humbur Ukrainën. Franca, e kryesisht Gjermania, që janë mjaft kritike ndaj Ukrainës, dëshirojnë garanci të plota për fatin e znj.Timoshenko. Edhe pse nuk thuhet publikisht, për shkak edhe të pasojave të krizës ekonomike, asnjë vend i BE-së nuk është i prirur t’u hapë ukrainasve dyert e tregut evropian të punës. Së paku për një farë kohe. Qëndrimet e rezervuara të evropianëve po i acarojnë ukrainasit që tani për tani mjaftohen me skërmitje dhëmbësh. Nëse “Marrëveshja e Asocimit” nuk do të nënshkruhej, Ukraina do ta ndante mendjen për ta kthyer vështrimin nga Lindja. Një këshilltar i afërt i Janukoviçit e shpreh me gjuhë të sertë ketë situatë: “Rusia na ka thënë: bëni si të doni, por më mirë është të ktheheni në orbitën tonë. Ata duan që të ndryshojmë krejtësisht drejtimin e politikës sonë. Evropa na flet për parime. Për këtë arsye ajo ndihet e humbur në hapësirat post-sovjetike. Gjithsesi, ajo nuk ka shprehur synime të qarta dhe na ka ofruar pakojë”.