E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi i radhës: e treta e vërteta!

09-11-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Supersticiozët, kur humbasin dy herë në lotari, duke i pasur trutë e kokës eksiq, nuk largohen pa humbur edhe herën e tretë. Përgjithësisht kështu përdoret ky lokucion. Në saje të këtij përdorimi të gjerë, vetë shprehja është e një karakteri joserioz. Por, kur këtë e përdor edhe një politikan, që është në krye të një partie të madhe, paçka se opozitare,  nëse ai mëton të jetë i besueshëm në këtë si punë shakaje pa kripë, kjo është vërtet diskredituese. Më e pakta që mund të thuhet, është se i marrka lehtësisht gjërat nga më seriozet! Se është e para autokritikë që bën, në kuptimin e përdorimit në kohën e atit shpirtëror të Edit, kur kjo fjalë gjente përdorim të shtrirë si vaji në lakra, sa për të hedhur lumin!
Tani erdhi një kohë që E. Rama kërkon të veshë dollomanë e properëndimorit! Që t’i rrijë veshur paksa mirë, jo si e varme në gozhdë, - siç thonë shkodranët, - duhej të ishte paksa i kujdesshëm që të përgënjeshtronte, pak javë  më parë, ata që ironizonin të huajt me “na janë bërë rrodhe nëpër këmbë”, siç thoshte me pasajdí kryetari i grupit parlamentar të tij, apo si shkruhej nëpër gazeta, troç, nga “analistë” si A. St., apo si flitej rrugëve të gjurulldive, me mujshi kundërperëndimore, nga anarkisti i 13 mijë viktimave, vetëm e vetëm për të vënë pushtetin në dorë! Brenda dy ditëve! - se s’i pritej!
E.R.-në e tejkaloi vetëm Enveri, që ia ofroi ofiqin e tij të Sekretarit I të K.Q. të Shqipërisë, serbokroatit Tito! Një poshtërim të tillë kundër atdheut të vet, as kryekolaboracionisti Kuisling nuk ia bëri Norvegjisë, që ua hapi portat gjermanëve, sepse ata “do të hynin se do të hynin edhe me forcën e bajonetave”. Megjithatë E.H. nuk bëri asnjë autokritikë që ua hapi portat e pushtimit “de facto” një jugosllavi, që ky të sundonte mbi Shqipërinë “de jure”, si Sekr. I. i KQ të Shqipërisë! Që ta përfshijmë edhe këtë episod tragjik në temën tonë, mashtrimet e Edit janë si mashtrimet e Nexhmijes, që mbush 90-vjetorin e lindjes, bash në 69-vjetorin e Themelimit të PKSH-së, “themelim” i thënçin! E, meqë kjo “zonjë” me një mbiemër-nofkë që e ka hak, nuk lodhet që të na mbushë mendjen për atdhedashurinë e bashkëshortit të saj (!), i bëjmë këtë pyetje: A e ka lexuar “Zonjën e Zezë”, libër që po lexohet, tashmë, në të gjithë Europën – dhe jashtë saj – që të mos na flasë më për kësisoj “patriotizmash?!”
Edi Ramën nuk e besoi njeri me ato përbetimet si një antikomunist që s’gjen të dytë as në Kosovë, as në Maqedoni, as në Diasporën tejatlantike (1991). Nuk kaluan vite as sa të njërës dorë dhe ky i vetëquajtur antikomunist me nam, na u shndërrua në një komunist fanatik të 16 shtatorëve të Pezës, me ditirambet për E. Hoxhën dhe me fotot e diktatorit me qindra e qindra! A kishte parë në Paris ndonjë foto, një të vetme, të mareshalit Petën?
Kur mashtronte ky njerí: Në 1991-shin, apo – pas disa vitesh,- në Konferencë të Pezës, autorësia e së cilës nuk përgënjeshtrohet dot nga ai?
Kur kishte të drejtë: Kur veteranët i donte të varur në litar, apo kur pinte raki me ta, në Pezë, për lavdinë e Enverit?
Lufta Nac.çlirimtare u shndërrua në luftë civile, me urdhër të emisarëve jugosllavë, për shpartallimin e çdo gjurme të pluralizmit,- siç ia thoshte mendja dikur, - apo nuk ka pasur fare luftë civile, të sajuar nga “armiqtë”, siç thonë “historianët” e Enverit, në pajtim me veteranët, që të hidhen në grykë po t’u përmendësh luftën civile?
Bllokimi i Parlamentit, me urdhër të prerë vetjak për dy vite të tëra, ishte i nevojshëm, i domosdoshëm, apo i dëmshëm? Tani u kujtua Edi se “kemi bërë edhe gabime”? Nëse ka bërë gabime (jo kemi bërë gabime), a ka paguar ai ndonjë qindarkë për këto gabime? Apo milionat e eurove të shkuara dëm nga mos’hyrja në BE (nëse do të kishim një opozitë europianiste, që s’ishte aspak ajo e Edit)  e që i paguajnë taksapaguesit shqiptarë, ndërsa për dëmet që shkaktonte ky inkoherent, u dashka thënë “të shkuara, të harruara”?
Tani ai personi mendje-mendje na qenka bërë i arsyeshëm dhe po ia thotë truri se duhet të veshë atë dollomanë e të urtit, të të përkorit, e ta heqë “embargon” ndaj kërkesave të BE-së. Shpejt u kujtua! Por ka kërkesa të BE-së, ka edhe kushtëzime të Edvinit, kërcú përmbi samar! Eja e bëj kompromis, të kam rixha! Hileja është e tejdukshme. Të na e bjerë në majë të hundës, (gjersa shumëkush thotë, lipsur qoftë edhe përfitimi i njëmendët), që të mburret: -Ja, unë ju futa në BE!
Tani po na bëhet edhe letrar! Por a ka ndonjë shkrimtar që të bjerë ne kundërthënie me veten hap pas hapi? Librin e parë e poqi në zjarr. I dyti, duket se po atë udhë po merr. Sepse nuk di të shpjegojë sesi mund të gjenden 300 mijë vende pune. Nuk i di ligjet ekonomike që bashkëveprojnë në papunësinë dhe në kostot për vendet e punës. Dhe i duket që çdo gjë fluturon, hahet! Meidani që ia shpjegon nga ana ekonomike blofin e tij, blasfemohet në kongres, me ortakërinë e njerëzve si Mrika.
Kjo Mrikë apo me emrin modern Mimi, u hutua në panelin e saj, kur Florian Mima dhe Eno Bozo, i llogaritën aty për aty miliardat e eurove që duheshin për halucinacione të tilla.
Pra, siç tha Hysni Milloshi për Edin, po doli, doli. Po s’doli, mos daltë. Ai e ka, sipas Hysniut, për herë të dytë këtë premtim, që përfundoi jo në 300 mijë vende pune, jo se jo, por në 300 vende pune më pakë!
Hesapet e Edit s’dalin jo me e treta, e vërteta, por as me e tridhjeta e vërteta!  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›