E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ukraina, shpërthimi i Zinchenkos: Ata që heshtin mbështesin luftën

“Unë i urrej gjithnjë e më shumë njerëzit që kanë pushtuar tokën tonë. Nuk do të ndalem së foluri për këtë, sepse e gjithë bota duhet ta dijë të vërtetën. Ata që heshtin i mbështesin këto mizori.” Kjo është deklarata e Oleksandr Zinchenko, i lindur në 1996, futbollist ukrainas i Manchester City. Zinchenko ka lindur në Radomyshl, një qytet 60 km larg Kievit. “Askush nuk dëshiron të largohet – thotë lojtari në një intervistë për Guardian – Burrat shkuan të luftojnë, ata po mbrojnë tokën e tyre dhe unë jam krenar për ta”. Deri tani Radomyshl ka shpëtuar nga më e keqja: “Më thanë se trupat ruse po përpiqeshin të kalonin Radomyshl dhe po fshiheshin në pyll, duke u përpjekur të gjenin civilë në makinat e tyre, t’i vrisnin dhe të merrnin gjithçka që kishin”.

Futbollisti i Manchester Cityt ka bërë të ditur se prej dy muajsh jeton me telefonin e tij. “Nuk mund të mos mendoj as një minutë për atë që po ndodh – vazhdon Zinchenko -. Përpjekja për të ndjekur gjithçka është në thelb për mua tani. Gjëja e parë që bëj çdo ditë është të marr telefonin. Kanë kaluar më shumë se shtatë javë dhe ju mund të shihni disa njerëz që fillojnë të mësohen me mizoritë që po ndodhin në vendin tim. Nuk është e mundur, njerëzit po vdesin dhe kështu si mund të relaksoheni? Duhet të flisni për atë që po ndodh çdo ditë”.

Në fillim të karrierës së tij, Zinchenko luajti për një klub rus: Fc Ufa. “Kam miq atje. Jam shumë i zhgënjyer. Djemtë që njoh më thirrën sapo ndodhi pushtimi, më shkruanin: ‘Më vjen shumë keq Alex, por nuk mund të bëjmë asgjë’. Sigurisht që mundesh. Nëse heshtni do të thotë se mbështesni atë që po ndodh në Ukrainë. Të gjithë, veçanërisht ata që kanë ndjekës si ne futbollistët, duhet të shkruajnë në rrjetet sociale ‘Ne jemi kundër luftës, duhet ta ndalojmë atë’. Është turp që nuk thonë asgjë”. Nga ana tjetër, Zinchenko është shumë mirënjohës për Guardiolën dhe shokët e tij: në ndeshjen e parë të Cityt menjëherë pas fillimit të luftës, atij iu dha shiriti i kapitenit, ndërsa në tribuna valëviteshin flamujt e Ukrainës. “Sytë e mi ishin plot me lot – thotë ai – përballë asaj mbështetjeje edhe më të fortë ndjeva krenarinë e të qenit ukrainas”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›