E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bylis, edhe matematikisht “Superior”

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria e Parë, ka dhënë të shtunën verdiktin e parë të këtij sezoni, duke konfirmuar rikthimin e Bylisit në Kategorinë Superiore. Me fitoren 3-0, të arritur në fushën e vet të shtunën përballë Tërbunit të Pukës, që ishte e 3-ta radhazi dhe e 20-ta në këto 27 javë kampionat, ku është ndalur edhe në 3 barazime dhe ka pësuar edhe 4 humbje, skuadra ballshiote është ngjitur në kuotën e 63 pikë, 5 më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Erzeni i Shijakut, që u mund minimalisht të shtunën në Lushnjë përballë skuadrës vendase.

Por, më tepër se kaq, frenimi pa gola i Korabit të vendit të 3-të në Peshkopi përballë mysafirëve të Apolonisë, nënkupton se fierakët u bënë një favor “kushërinjve” të tyre myzeqarë. Sepse dibranët tashmë kanë mbetur në kuotën e 53 pikëve, pra 10 pikë pra Bylisit dhe, teksa kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur, pra, vetëm 9 pikë në lojë, ballshiotët janë edhe matematikisht të paarritshëm nga Korabi, edhe sikur të renditeshin në vendin e dytë.

Me pak fjalë, pas vetëm një sezoni, skuadra e drejtuar nga trajneri shqiptar nga Maqedonia, Jeton Bekiri, siguron rikthimin menjëherë në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Në fakt, skuadra e trajnerit 39-vjeçar të lindur në Tetovë u shkëput që në fillim të sezonit, duke mos lëshuar vazhdimisht dhe duke e shndërruar betejën në Kategorinë e Parë në një sfidë të të gjithëve kundër ballshiotëve.

Sa u përket të tjerëve, Erzeni e ka vetë në dorë fatin sa i përket biletës tjetër që të çon automatikisht në Superiore, të cilën do ta synojë deri në fund edhe Korabi, që përndryshe duhet të kënaqet me rrugën e gjatë të “play-off”-it midis 4 skuadrave të tjera, nga vendi i 3-të dhe ai i 6-të, që do të ndeshen me njëra-tjetrën për të përcaktuar se cila prej tyre do të sfidojë të 8-tën e Kategorisë Superiore në duelin shtesë për vendin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.

Sa i përket skajit tjetër të renditjes, teksa kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur, Shkumbini, Maliqi dhe Vora kanë rënë edhe matematikisht nga Kategoria e Parë në Të Dytën, ndërsa Butrinti i Sarandës ka ende një shpresë matematikore për të siguruar një nga dy vendet që të çojnë në “play-out”-in shtesë midis dy kategorive, ndonëse ka një betejë të vështirë me Pogradecin dhe Turbinën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›