E Diel, 1 Nëntor 2026

Ukrainasit fajësojnë Stalinin për krizën e urisë që vrau miliona

Çerekshekulli më parë, historiani ukrainas Stanislav Kulçitski u urdhërua nga eprorët sovjetikë të sajonte një fakt historik. Urdhri ishte të përshkruhej kriza e urisë që vrau miliona ukrainas në vitet tridhjetë, si e pashmangshme, si të ishte një katastrofë natyrore. Partia Komuniste duhej zhveshur nga çdo faj. Trashëgimia e Stalinit duhej mbajtur e panjollosur.

Por profesor Kulçitski nuk ishte dakord. Para një jave, teksa qëndronte para memorialit të ri të viktimave të urisë, e kujtoi vendimin e tij si një pikë kthese në lëvizjen për zbardhjen e asaj të vërtete. Dhe vetë memoriali, me formën e një qiriri, në majën e të cilit digjet një flakë e artë, duket se është kulmi i këtyre përpjekjeve që kanë zgjatur dekada të tëra. "Është një shenjë respekti ndaj së shkuarës", tha Kulçitski. "Pasi për shumë vite njerëzit heshtën mbi gjithçka kishte të bënte me krizën. Dhe kur u bë e mundur të flitej për të, nuk u tha asgjë. Që prej tri brezash".

Memoriali u ndërtua nëntorin e shkuar në një park të Kievit, për 75-vjetorin e krizës së urisë, në faqen e një kodre që sheh nga lumi Dniepër. Pranë memorialit, rreth 30 metra të gjatë, do të ndërtohet një muze i vogël, ku do të paraqiten dëshmitë e të mbijetuarve, ashtu si edhe informacione të detajuara mbi vuajtjet e fshatrave ukrainas.

Autoritetet e Bashkimit Sovjetik ndaluan çdo lloj diskutimi mbi atë krizë të tmerrshme urie, por në vitet tetëdhjetë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerë po ushtronin trysni, duke krijuar grupe hetimi, shpesh nën kërkesën e emigrantëve ukrainas. Në përgjigje të këtyre nismave, zyrtarët komunistë ndërmorën strategjinë e tyre, për ta përshkruar krizën e urisë si një katastrofë natyrore, e shkaktuar nga thatësia e mungesa e të korrave. Profesor Kulçitski rrëfen se iu ngarkua detyra e grumbullimit të të dhënave, por ato e shpunë në përfundimin se katastrofa ishte shkaktuar nga dora njerëzore. "U binda tërësisht se gjërat nuk ishin ashtu siç mendoja dikur", thotë. Ai e refuzoi falsifikimin e rezultateve dhe në vend të kësaj i bëri publike, duke i shpëtuar ndëshkimit komunist vetëm pasi nën liderin sovjetik Mikhail Gorbaçov kishin nisur ndryshimet e sistemit.

Kjo krizë e tmerrshme urie njihet nga ukrainasit si Holodomor - që e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë vdekje, ose vrasje nga uria - dhe fushata për zbardhjen e saj ka luajtur rol domethënës në përpjekjet e vendasve për krijimin e identitetit kombëtar në epokën post-sovjetike. Njëherësh ka përkeqësuar edhe më tej raportet me Kremlinin, një tjetër debat i nxehtë mes dy vendeve që prej shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Qeveria filo-perëndimore e Kievit, e cila erdhi në pushtet pas Revolucionit të Portokallinjtë të vitit 2004, e konsideron krizën e urisë gjenocid të urdhëruar nga Stalini për të pakësuar popullsinë ukrainase në atë masë sa të zhdukej pretendimi për pavarësi nga Moska.

Nga arkivat mësohet se nuk mund të flitet për asnjë përfundim tjetër, thotë profesor Kulçitski, i cili është zëvendësdrejtor i Institutit të Historisë së Ukrainës në Kiev. Profesori është 72 vjeç, megjithëse duket shumë i ri, sikur t‘i kishte shpëtuar aq shumë kërkimeve në ato arkiva të mbushura me llahtarët e epokës staliniane. "Është shumë e rëndë për t‘u përballuar", pranon. "Veçanërisht të vështira janë dokumentet mbi kanibalizmin".

Profesor Kulçitski ka mendimin se është i pamohueshëm fakti që miliona njerëz në të gjithë Bashkimin Sovjetik vdiqën urie në periudhën mes viteve 1932-1933, ndërsa komunistët i shpallën luftë fshatarësisë në kërkim të krijimit të kooperativave bujqësore. Por vëren se në Ukrainë autoritetet sovjetike u shtynë shumë përtej këtij qëllimi, duke izoluar dhe detyruar të vuanin urie një numër i madh fshatrash. "Nëse në rajone të tjera njerëzit iu nënshtruan urisë dhe vdiqën prej saj, njerëzit këtu u vranë përmes urisë", thotë profesor Kulçitski. "Kjo është diferenca absolute".

Gjatë viteve të fundit, Presidenti ukrainas, Viktor Jushçenko, ka folur rregullisht mbi këtë krizë urie, në përpjekje për ta dënuar si krim. Ukraina u ka kërkuar vendeve të tjera ta njohin si gjenocid ndaj popullsisë dhe ngritjen e disa memorialëve. Një syresh po ndërtohet në Uashington. Memoriali i Kievit tashmë ka nisur të vizitohet nga shumë njerëz. "Sigurisht, është e domosdoshme", thotë Hrigori Mikhailenko, 75-vjeçar, drejtor ndërmarrjeje ndërtimi nga Ukraina qendrore, i cili ndaloi për të vizituar memorialin gjatë një udhëtimi pune. "Kanë vdekur aq shumë njerëz prej saj. Nga familja ime katër veta. Është shumë e rëndësishme të dihet ajo që ndodhi. Është kjo arsyeja për të cilën Rusia na kërkon ta mbyllim këtë çështje".

Rusia e ka dënuar memorialin. Në vend që të merrte pjesë në përurimin e tij, Presidenti Dimitri Medvedev i dërgoi Jushçenkos një letër, ku e akuzonte për përdorimin e krizës së urisë për diskriminimin e Rusisë. "Ne nuk e justifikojmë represionin stalinist kundër gjithë banorëve të Bashkimit Sovjetik", shkruante Medvedev, "por të thuash se kishte qëllim shkatërrimin e ukrainasve, do të thotë të shkosh kundër fakteve dhe të rrekesh t‘i japësh ngarkesa kombëtare një tragjedie të përbashkët".

Muajin e shkuar, historianët rusë u përpoqën t‘i dilnin përkrah Kremlinit, duke hedhur në treg një libër dhe një DVD, të bazuara në dokumente historike, sipas të cilave kriza e urisë nuk kishte në shënjestër ukrainasit. Shumë prej dokumenteve janë përkthyer në anglisht, në përpjekje për të zbardhur përpjekjet e dy vendeve për paraqitjen e kësaj tragjedie në arenën ndërkombëtare.

Profesor Kulçitski thotë se Kremlini i druhet zbardhjes së kësaj të vërtete, pasi, në një rast të tillë, Rusia, e konsideruar trashëgimtarja e Bashkimit Sovjetik, mund të përballet me kërkesa për dëmshpërblime. E, megjithatë, thotë se keqinterpretime ekzistojnë edhe në palën ukrainase. Për shembull, Presidenti Jushçenko deklaron se gjatë krizës gjetën vdekjen 10 milionë ukrainas, ndërsa profesor Kulçitski beson se numri nuk shkon përtej 3.5 milionë viktimave.

Profesorit nuk i pëlqen as dizajni i memorialit. Do të kishte parapëlqyer zgjedhje të tjera simbolike. Por, këmbëngul në faktin se vendit i duhet kujtuar me çdo kusht kjo pjesë e zezë e historisë. "Njoh shumë, përfshi edhe njerëz të famshëm - intelektualë, të ngritur - të afërmit e të cilëve gjetën vdekjen gjatë asaj krize urie, të cilët shprehen publikisht kundër kthimit në vëmendje të Holodomorit", thotë profesori 72-vjeçar. "Nuk e konsiderojnë pjesë të së sotmes. Por si mund të gjejmë qetësi para asaj që ka ndodhur? Njerëzit tanë u bënë pre e një krimi të rëndë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›