Ukrainasit mbështesin përfundimin e luftës përmes negociatave, Zelensky kërkon takim me Putin

Mbështetja për një përfundim të negociuar të luftës me Rusinë është rritur ndjeshëm në mesin e qytetarëve ukrainas, sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Gallup në fillim të korrikut. Sipas rezultateve, 69% e ukrainasve janë në favor të negociatave për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa vetëm 24% mbështesin vazhdimin e luftës deri në fitore. Kjo është një përmbysje e qartë nga viti 2022, kur 73% mbështesnin luftën deri në fitore dhe vetëm 22% kërkonin zgjidhje të negociuar.
Pavarësisht rënies së shpresave për anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe një uljeje të miratimit ndaj udhëheqjes amerikane, shumica e qytetarëve ende e shohin Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në si aktorë kyç për përfundimin e konfliktit. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre mbeten skeptikë për një zgjidhje të afërt. Vetëm 25% besojnë se luftimet do të përfundojnë brenda 12 muajve të ardhshëm, dhe vetëm 5% e shohin këtë si shumë të mundshme.
Në këtë klimë, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmërinë për negociata të drejtpërdrejta me Presidentin rus Vladimir Putin. Kjo erdhi pas takimeve të zhvilluara në Moskë nga i dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, me udhëheqësin rus.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky nënvizoi rëndësinë e bisedimeve në nivelin e liderëve:
“Ne në Ukrainë kemi thënë vazhdimisht se gjetja e zgjidhjeve të vërteta mund të jetë vërtet efektive në nivelin e udhëheqësve. Gjëja kryesore është që Rusia, e cila e filloi këtë luftë, të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’i dhënë fund agresionit të saj. Është e nevojshme të përcaktohet koha për një format të tillë dhe gama e çështjeve që duhen trajtuar”, tha Zelensky.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj partnerëve tregtarë të Moskës, në përpjekje për të rritur presionin mbi Kremlinin.
/rtsh.al/