E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukrainë, Timoshenko e sëmurë në burg

“Janë shfaqur simptoma shqetësuese që nuk ngjajnë me asnjë sëmundje të njohur”, deklaroi avokati Juri Sukhov gjatë seancës ku mori pjesë Timoshenko, duke i kërkuar gjykatësit të autorizojë mjekun ta vizitojë klienten e tij.

Deputeti Aleksandër Turçinov, krahu i djathtë i opozitares, i cituar nga shërbimi i shtypit, u shpreh se gjendja shëndetësore e Timoshenkos është keqësuar papritur dje, në atë masë sa ajo “as nuk mund të dalë jashtë për shëtitje të shkurtra” në oborrin e burgut. “Për arsye që nuk dihen ende, njolla blu janë shfaqur në të gjithë trupin e saj”, shtoi ai.

Megjithatë, një gazetar i AFP-së i pranishëm në sallën e gjyqit nuk vuri re asgjë të pazakontë në pamjen e jashtme të opozitares, e veçuar prej shtypit nga policët.

Gjykatësi Rodion Kireev deklaroi se “kërkesa lidhur me mjekun do të shqyrtohet konform ligjit”, duke shkaktuar zemërimin e Timoshenkos.

Julia Timoshenko po gjykohet që prej 24 qershorit për tejkalim të të drejtave të  kryeministrit në 2009 duke autorizuar, pa miratimin e qeverisë, nënshkrimin e kontratave për importin e gazit rus me një çmim shumë të lartë, pra të pafavorshëm për Kievin.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-08-18 20:51
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›