E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukraine e djathta ekstreme hyn ne parlament

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Ukrainë nuk do të publikohen para datës 31, por ajo që ka ndezur diskutimet ka qenë hyrja tashmë e sigurtë e ultranacionalistëve të Svoboda për herë të parë në parlament. Shqetësimi është edhe më i madh ndërmjet më shumë se 103 mijë hebrenjve ukrainas që frikësohen nga formacioni politik shpesh i akuzuar për ksenofobi dhe anti semitizëm. Edhe Izraeli është i shqetësuar për hyrjen në parlament të ekstremistëve të djathtë. Por lideri i Svoboda ka hedhur poshtë akuzat e anti semitizmit dhe u ka dhënë një mesazh autoriteteve izraelite. Ai është shprehur se respekton ndjejat patriotike të qytetarëve izraelitë, por nga ana tjetër ka kërkuar që të respektohen dhe të drejtat e qytetarëve ukrainas dhe liria e tyre e shprehjes. Svoboda që do të thotë liri ka krijuar aleancë para zgjedhore me partinë e Julia Timoshenkos. Nëse rezultatet e pjesshme do të konfirmohen kjo forcë politike do të jetë një përbërës i rëndësishëm në bllokun e opozitës, e aftë për të kushtëzuar legjislaturën. Nga ana tjetër Julia Timoshenko ka nisur një grevë tjetër urie kësaj here kundër zgjedhjeve për të cilat ajo mendon se janë manipuluar. Ish kryeministrja ukrainase është e shtruar në spital që nga muaji maj. Timoshenko protagoniste e revolucionit Portokalli ndodhet në burg që në muajin gusht të vitit 2011, e dënuar me shtatë vjet burg me akuzën e abuzimit të pushtetit në marrëveshjet për gazin me Rusinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›