E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto-Bellon

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Kooperacionit Italian në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Belloni. Ministri Haxhinasto shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, të cilat ai i konsideroi si marrëdhënie të një partneriteti strategjik dhe me një dimension të rëndësishëm ekonomik.
Zëvendëskryeministri vlerësoi kontributin e madh të qeverisë italiane në Shqipëri, sidomos për mbështetjen e dhënë në zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, veçanërisht për industrinë fason dhe kërkoj vazhdimin e mbështetjes për të mbyllur ciklin e prodhimit në vend. Në mënyrë të veçantë Ministri Haxhinasto vlerësoi financimet italiane në fushën energjetike ku vlen të përmendet projekti “Ndërtimi i Nënstacionit Elektrik 400/220/110 Tirana 2” në Kashar me vlerë rreth 25 mln euro, apo projekti “Ndërtim i LTL 400 kV Elbasan – Tiranë” me vlerë rreth 13 mln euro. 
Ministri Haxhinasto shprehu nevojën e mbështetjes italiane për përfshirjen e Shqipërisë në rrjetet energjetike panevropiane, në veçanti për projektin e gazsjellësit TAP. Gjithashtu Ministri nënvizoi se objektiv prioritar i Qeverisë Shqiptare mbetet projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Italinë, ku padyshim ndihma e Qeverise Italiane është esenciale.  
Drejtoresha e Përgjithshme e Kooperacionit italian, Elisabetta Belloni vuri në dukje faktin se, Shqipëria është vend prioritar për projektet e bashkëpunimit italian dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. Belloni u shpreh mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fusha të ndryshme me interes të ndërsjelltë.
Në këtë takim, Belloni shoqërohej nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani dhe drejtori i Zyrës së Kooperacionit për Zhvillim në Shqipëri, Andrea Senatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›