Ukrainë, luftime të ashpra/ Kundërofensiva përparon në rajonin e Zaporizhjas

Zyrtarë ushtarakë ukrainas thanë se trupat e vendit të tyre janë përfshirë në luftime të ashpra në disa zona në juglindje të vendit, ndërsa shtuan se kundërofensiva ka nisur të përparojë ngadalë në rajonin jugor të Zaporizhjas.
Ushtarët ukrainas zhvilluan më shumë se 30 beteja gjatë 24 orëve të fundit dhe arritën të bllokojnë tentativën e avancimit të forcave ruse në qytezën e Lymanit në Donjeckun lindor, ku Moska ka shtuar trupat e saj gjatë javëve të fundit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ata kanë rimarrë një fshat në këtë rajon. Ushtria ukrainase nuk ka dhënë shumë informacione në lidhje me gjendjen e kundërofensivës së saj në territoret e pushtuara nga Rusia në juglindje.
Por dy zyrtarë amerikanë thanë për CNN se Ukraina po dërgonte më shumë trupa dhe fuqi zjarri në zonë, duke lënë të kuptohet se Kievi ka vërejtur potencialisht një pikë të dobët në mbrojtjen e Rusisë atje.
Presidenti rus, Vladimir Putin, një ditë më parë pranoi se luftimet në rajonin e Zaporizhjas janë “intensifikuar ndjeshëm”, por pretendoi se tentimet e Ukrainës ishin të pasuksesshme.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte penguar një sulm ukrainas me dron mbi Moskë në orët e para të së premtes. “UAV u shkatërrua me anë të mbrojtjes ajrore”, njoftoi ministra ruse përmes një postimi në rrjetet sociale.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/