Regjistrimet në Harvard, hapen hetime mbi përparësitë gjatë pranimeve

Departamenti i Arsimit në Shtetet e Bashkuara ka hapur një hetim për të drejtat civile mbi politikën e pranimeve të Universitetit të Harvardit, duke e futur qeverinë federale drejtpërdrejt në një debat të ashpër kombëtar mbi privilegjin e të pasurve dhe racës së bardhë.
Sipas tre organizatave që kanë ngritur padi, 28 për qind e studentëve që u diplomuan në Harvard në vitin 2019 kishin një prind ose një anëtar të familjes që kishte fituar një diplomë nga ai kolegj.
Gjithashtu, thonë ata, 70 për qind e kandidatëve që gëzojnë një avantazh të tillë janë të bardhë. Megjithatë, një vendim historik nga Gjykata e Lartë e ShBA-së në fund të qershorit bëri thirrje për heqjen e programit të diskriminimit pozitiv gjatë regjistrimeve në universitete.
Diskriminimi pozitiv u vendos gjatë betejës për të drejtat civile të viteve 1960, e cila lejoi më shumë studentë të racave të tjera të hynin në kolegj.
Harvard tha në një deklaratë dërguar agjencisë franceze të lajmeve AFP se po shqyrtonte të gjitha procedurat e pranimit për t’u pajtuar me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe kështu “të rrisë aftësinë për të tërhequr dhe mbështetur diversitetin e komunitetit intelektual, i cili është me rëndësi kritike në përpjekjet për të arritur përsosmëri akademike”.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/