E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukrainë, përkujtohen viktimat e Cernobilit

25 vjet më parë, në centralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, ndodhi fatkeqësia më e rëndë bërthamore në botë. Rrezatimi nga një shpërthim në reaktor, u përhap mbi një zonë të gjerë të Europës veriore dhe qendrore.

Aksidenti shkaktoi krijimin e një zone të shkretuar prej 30 kilometrash përreth Çernobilit, duke bllokuar një qytet të ndërtuar për punëtorët e uzinës dhe familjet e tyre. Pavarësisht nga mbulimi me beton i reaktorit të shkatërruar, në 25 vjetorin e katastrofës, bimët e kultivuara për rreth përbëjnë rrezik rrezatimi, raportojnë ekspertët.

Një prej qyteteve më të dëmtuara është Pripyat, në Ukrainë. Tashmë një qytet i vdekur. Shtëpitë, klasat e shkollës, terrenet sportive, dhe mjedise të tjera janë rrënuar, ndërsa natyra rimerr tokën e humbur. Pripyat dikur kishte rreth 50.000 banorë. Tani ata s’janë më, vetëm objekte të jetës së tyre kanë mbeten prapa, të kalbur në pluhur. Pripyat u zhduk për shkak të aksidentit vdekjeprurës të centralit bërthamor të Çernobilit.
 

Herët në mëngjes më 26 prill 1986, reaktori i njësisë së Katërt të Çernobilit po i nënshtrohej një prove për sistemin e ftohjes. Reaktori u nxeh dhe shpërtheu nga presioni i avullit, duke shkatërruar mbulesën e termocentralit. Rrezatimi bërthamor u përhap në qiellin e natës. Dhe, ndërsa njerëzit flinin, ai përfshiu gjithë Pripyatin, pak sa në veri të Çernobilit.
 

Në reaktorin katër, karburanti bërthamor dhe grafiti përreth tij kishin marrë zjarr. Autoritetet dërguan helikopterë të fluturonin mbi reaktor duke hedhur rërë dhe materiale të tjera në përpjekje për të ndaluar zjarrin. Por, zjarri vashdoi gjatë gjithë ditës.
Grimcat radioaktive nga zjarri, era i shpërndau në një zonë të gjerë, në Ukrainë, Bjellorusi, Rusi. Më pas në Skandinavi, Britani dhe pjesët e tjera të Evropës. Ndërsa era ndryshonte drejtimin, kështu bënte edhe rrezatimi. Së fundi, një ditë e gjysmë pas shpërthimit, u dha urdhër që Pripyati të evakuohej. Njerëzve iu tha se do të largoheshin vetëm për disa ditë kështu që lanë pas thuajse gjithçka. Ata kurrë nuk u kthyen më.
 

Pavarësisht nga përhapja e gjerë e rrezatimit, zyrtarët e Bashkimit Sovjetik në fillim thanë shumë pak publikisht për atë që ndodhi në Çernobil. Shumë njerëz u besonin udhëheqësve të tyre sesa lajmeve nga jashtë për katastrofën. Ishin detektorët e rrezatimit në vende të tjera, qindra kilometra larg, që i detyruan sovjetikët për të pranuar aksidentin e Çernobilit.

Mijëra njerëz u dërguan në Çernobil për të pastruar mbeturinat nga shpërthimi. Ata gjithashtu ndërtuan një strukturë, të quajtur sarkofag, për të mbuluar reaktorin e rrënuar dhe karburantin e tij radioaktiv. Pajisjet e punëtorëve u ndotën nga radioaktiviteti dhe ata u detyruan t’i braktisnin.

Punëtorët u prekën nga rrezatimi e shumë prej tyre u sëmurën.Qeveria sovjetike tha se nga shpërthimi i reaktorit në uzinën e Çernobilit vdiqën të paktën 31 veta. Sipas raportit të OBSH-së, Çernobili mund të rezultojë në 4 mijë viktima nga kanceri dhe shkaqet e tjera të lidhura me rrezatim. Radioaktiviteti i ka detyruar zyrtarët për të krijuar një zonë prej 30 kilometrash pa banorë përreth Çernobilit dhe mbylljen e qyetit Pripyat. Megjithatë, termocentrali vazhdoi të prodhonte energji elektrike deri sa u mbyll më në fund në dhjetor të vitit 2000.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›