Maqedonasit e Shqipërisë votojnë në zgjedhjet e 5 qershorit

Maqedonasit e deklaruar nga komunat e Liqenasit, Prespës, Pogradecit që kanë shtetësi maqedonase do të përfshihen në votimet e zgjedhjeve të parakohshme në shtetin maqedonas. Lajmi bëhet I ditur nga agjensia e lajmeve INA e cila citon përfaqësues të afërt me këtë komunitet.
Ditë më parë pranë komunës së Liqenasit kanë qëndruar zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE, por edhe nga komuna e Gazi Babës së Shkupit, të cilët kanë diskutuar edhe mbi këtë çështje, që ky komunitet i këtyre zonave i deklaruar si maqedonas dhe në disa raste edhe bullgar të pajisur me shtetësi të Maqedonisë të shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
Nga fundi i vitit të kaluar theksohet jozyrtarisht se janë shpërndarë qindra pasaporta maqedonase për banorët e zonave kufitare me Maqedoninë dhe se shpërndarja e tyre është bërë në mënyrë të organizuar.
Agjencia e lajmeve "INA" thekson se një pjesë e shtetasve shqiptarë që kanë përfituar nënshtetësinë e Maqedonisë si parakusht kryesor kanë ndryshuar mbiemrat, duke i shndërruar ato në mbiemra maqedonas me prapashtesat ski, ndërsa ata me emrat dhe mbiemrat mysliman janë detyruar për ndryshimin e plotë të të dhënave.
Pjesa më e madhe e atyre që janë të deklaruar si maqedonas të pastër janë të punësuar edhe në institucione shtetërore, në sektorin civil, por edhe në media. Ata tashmë janë përshtatur me trendet e jetesës dhe kryesisht janë të përqendruar në Shkup.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë fsheh shifrat e sakta lidhur me dhënien e nënshtetësive për shtetasit shqiptar. Ish-ministri i brendshëm, Lube Boshkovski ka qenë njëri nga nismëtarët e fushatës për shpërndarjen e shtetësive për maqedonasit e Shqipërisë dhe se ajo ishte bërë pikërisht për të përfituar votat në favor të ish-partisë së tij VMRO-DPMNE, e cila sot është në pushtet.