Ukrainë, vijon samiti për Çernobilin

Udhëheqësit ndërkombëtarë nuk e arritën objektivin prej 1.1 miliardë dollarësh në konferencën e donatorëve në Kiev për të ndihmuar në pastrimin e zonës ku ndodhi shpërthimi i centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë. Gjatë ditës së parë të konferencës u grumbulluan mbi 785 milonë dollarë. Konferenca në Kiev do të zgjasë 1 javë dhe zhvillohet për të shënuar 25 vjetorin e katastrofës së Çernobilit. Paratë e grumbulluara duhen për të ndihmuar në mbulimin me beton të reaktorit të rrënuar. Pak muaj pas shpërthimit, ky reaktor u mbulua për të bllokuar rrezatimin. Por mbulesa është vjetëruar dhe mbulesa e re pritet ta mbajë reaktorin të bllokuar deri në fund të shekullit. Në këtë takim marin pjesë përfaqësues nga më shumë se 40 vende dhe organizata ndërkombëtare. Ky samit ishte parashikuar të zhvillohej prej vitesh, por problemet në impiantin bërthamor të Fukushimas i dhanë një shtysë të re planeve për krijimin e një strukture të re mbrojtëse. Qeveria ukrainase, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të ndërtojnë një hark gjigant për mbulimin e reaktorit të shpërthyer të Çernobilit. Struktura do të jetë më e madhja e llojit të saj në botë, më shumë se 100 metra e lartë, 250 metra e gjerë dhe 160 metra e gjatë dhe do ti japë mundësi Ukrainës që për 100 vjet të shkatërrojë mbetjet bërthamore. Impianti bërthamor i Çernobilit shpërtheu me 26 prill të vitit 1986 dhe ishte tragjedia më e madhe e këtij lloji në historinë e njerëzimit. Vlerësimet për numrin e viktimave nga tragjedia janë të ndryshme; Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se në momentin e shpërthimit kanë humbur jetën rreth 4 mijë persona; Greenpeace thekson se ky numër arrin në rreth 200 mijë persona; Publikimet ruse flasin për rreth 985 mijë persona të vdekur që prej momentit të tragjedisë më 26 prill 1986 deri në vitin 2004.