Ulen eksportet, deficiti u rrit 89 milionë dollarë

Deficiti tregtar janar 2011-mars 2012
Shifrat tregtare, INSTAT: Importet janar-mars, e njëjta vlerë me 2011.
Deficiti tregtar në muajin mars pësoi rritje, duke reflektuar kështu uljen e eksporteve nga njëra anë dhe rritjen e importeve nga ana tjetër, krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave mbi tregtinë e jashtme tregojnë se ky deficit, në tremujorin e parë të vitit, arriti gati 720 milionë dollarë. Një vit më parë, për të njëjtën periudhë, janar-mars, deficiti shënonte një vlerë 89 milionë dollarë më pak, apo 640 milionë dollarë në total. Për periudhën janar-mars 2012 importet arritën vlerën 1.18 miliardë dollarë, ndërkohë që eksportet ishin 450 milionë dollarë. Ndërsa një vit më parë, importet ishin 1.15 miliardë dollarë, ndërsa eksportet 516 milionë dollarë. Instituti i Statistikave për muajin mars detajon se u eksportuan 167 milionë dollarë mallra, me një rritje 10.2 për qind, krahasuar me muajin shkurt, por nëse krahasimin e bëjmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në eksporte kemi ulje me 1.4 për qind. Importet vetëm për muajin mars arritën 440 milionë dollarë, me një rritje gati 20 për qind krahasuar me muajin e dytë të këtij viti, si dhe me një rritje 2.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deficiti për marsin është 273 milionë dollarë. Por cilat kanë qenë grupet e mallrave që janë rritur më shumë në import dhe eksport për muajin mars, nëse këtë e shohim në referencë me muajin shkurt të po këtij viti? Në import, rritje të theksuara kanë pësuar grupe të tilla siç janë: Materiale ndërtimi dhe metale me një rritje 49.2 për qind; Prodhime druri dhe letre 46.1 për qind; Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi 19.9 për qind. Kurse tek eksportet rritjen më të theksuar e ka pasur grupi Lëkurës dhe artikuj prej tyre me një 36.4 për qind; Prodhime druri dhe letre me një rritje 46.1 për qind, Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi me 19.9 për qind rritje. Sa u përket partnerëve tregtarë, INSTAT vlerëson se 68.8 për qind e shkëmbimeve tregtare kryhen me vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që partnerët tanë tregtarë më të rëndësishëm vijojnë të mbeten fqinjët tanë.
Akciza
Në muajin mars janë importuar më pak mallra akcize, sipas të dhënave të INSTAT-it, nëse shifrat i krahasojmë me muajin shkurt. Importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 65 milionë lekë, duke zënë 14.9 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me shkurtin 2012, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 2.5 përqindësh. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 77.1 për qind, e zënë nënproduktet e naftës, vlerëson INSTAT.
NERTILA MAHO