Tregtia e jashtme, kriza kap edhe tekstilet

Fabrike tekstilesh ne Tirane
Emirjon Senja
Tekstilet kanë qenë prej vitesh një ndër sektorët në të cilin janë punësuar mijëra shqiptarë duke sjellë njëkohësisht edhe të ardhura të mira për buxhetin e shtetit, por duket se kriza që ka kapur fqinjin përtej Adriatikut po pasqyrohet specifikisht tek kjo industri në Shqipëri. INSTAT publikoi dje treguesit e Tregtisë së Jashtme për tremujorin e parë të këtij viti, në të cilin bie në sy rënia e eksportit të tekstileve dhe këpucëve.
Ndryshe nga muajt e kaluar, 400 fabrikat e tekstileve që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri po dërgojnë më pak mall jashtë shtetit duke zvogëluar kështu kapacitetet e tyre. Referuar të dhënave të INSTAT-it, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, vendi ka eksportuar rreth 15.8 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Kjo shifër është rreth 525 milionë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mësohet se në këtë sektor, janë të punësuar rreth 100 mijë gra dhe të reja në të gjithë vendin duke e bërë që zhvillimet negative në të të përfshijnë një numër të konsiderueshëm të familjeve shqiptare.
Importet
Banka e Shqipërisë i ka kërkuar vazhdimisht qytetarëve që të rrisin shpenzimet e tyre duke pasur më shumë besim tek ekonomia dhe kjo lëvizje e ka një arsye të fortë; konsumi paraqitet në tregues minimal gjatë këtyre muajve, aq sa prej disa muajsh, inflacioni qëndron poshtë pritshmërivë të qeverisë dhe BSH-së. Pasqyrues të kësaj situate bëhen tani edhe shifrat e tregtisë së jashtme të publikuara dje nga Instituti i Statistikave. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, Shqipëria mësohet të ketë importuar rreth 118.3 miliardë lekë mallra, me një rritje vetëm 2.5 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe pse me rritje, diferencën e ka bërë vetëm një mall, energjia elektrike. Përveç grupit lendë djegëse, minerale dhe energji elektrike, i cili paraqitet me një rritje të ndjeshme prej 8 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, importi i mallrave të tjerë ose ka qenë në të njëjtët nivele ose ka pësuar rënie drastike, siç janë përshembull materialet e ndërtimit. Kështu përshembull, importi në grupin ushqime, pije, duhan paraqitet me rënie krahasuar me tremujorin e parë të vitit të shkuar. Me rënie paraqiten edhe grupet e tjera si, tekstile dhe kepucë, dhe materiale ndërtimi. Me rritje krahasuar me tremujorin e parë 2011 edhe pse minimale, paraqitet importi i makinerive dhe grupi produkte kimike dhe plastikë.
Rritja e importeve në grupin lëndë djegëse, minerale dhe energji elektrike është tepër e lartë krahasuar me periudhat e tjera dhe arsyeja duket të jetë importi i energjisë elektrike.
Lendet djegëse, siç janë karburantet paraqiten me ulje të importit gjatë fillimit të këtij viti (doganat deklarojnë se gjatë dy muajve të parë të këtij viti vendi importi 6 300 ton karburante më pak krahasuar me janar-shkurt 2012) kështu që e gjithë rritja në këtë grup i përket importit të lartë të energjisë elektrike nga KESH dhe CEZ Shpërndarja sidomos gjatë muajve shkurt dhe mars.
Berisha: Po përjetojmë pasojat e krizës
Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha dha dje edhe një intervistë të gjatë për Zërin e Amerikës duke theksuar ndër të tjera se vendi është duke përjetuar pasojat e krizës që po kalojnë shtetet e BE-së. Sipas tij, tremujori i parë ishte i vështirë për vendin dhe shkak për këtë situatë u bënë reshjet e mëdha të dëborës gjatë shkurtit duke bllokuar zonat veri-lindore dhe lindore si edhe importi i lartë i energjisë elektrike. Shqipëria natyrisht përjeton në mënyrë të padiskutueshme pasojat e krizës së fqinjëve të vet dhe përveç kësaj pasojat e krizës së monedhës euro, që edhe ajo ka ndikimet e veta. Ne parashikojmë një rritje këtë vit rreth 3-4% dhe patëm një tremujor shumë të vështirë, tre mujorin e parë në të cilin vendi për një periudhë jo të shkurtër, zonat verilindore dhe juglindore ishin nën rreshjet e mëdha të dëborës dhe në një mënyrë ose një tjetër ka ndikuar në prodhimet industriale të këtyre zonave. Së dyti, kemi patur periudhën më të thatë në histori ndofta, në të cilën digat shkuan drejt pothuajse inekzistencës së tyre dhe ne kemi financuar mbi 70 milionë euro blerje energjie në mënyrë që ajo mos të mungojë, – tha ai.
560 mln lekë karburante më pak
Karburantet gjenerojnë një pjësë të mirë të të ardhurave në dogana. Megjthatë, INSTAT dhe doganat deklarojnë për në rënie kryesisht të naftës dhe benzinës gjatë dy muajve të parë të këtij viti duke ulur kështu edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Doganat raportojnë se gjatë dy muajve janar-shkurt 2012, të ardhurat nga importi i karbutranteve patën një mosrealizim plani prej rreth 560 milionë lekë. Administrata doganore kishte parashikuar të mblidhte rreth 17.1 miliardë lekë, ndërkohë që ka mbledhur 16.5 miliardë lekë. Sipas INSTAT-it ndërkohë, importi i mallrave me akcizë ku pjesën më të madhe e përbëjnë karburantet, pësoi një ulje me 2.5 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Rënia e importit të karburantreve lidhet me rënien e konsumit me 30 për qind nga njëra anë por edhe të rritjes së prodhimit vendas nga ana tjetër.
Bizneset nuk zgjerojnë aktivitetin
Bizneset po investojnë më pak gjatë fillimit të këtij viti dhe kjo vërehet qartë në dy tregues; i pari është rritja minimale e importit të makinerive gjatë periudhës janar-mars 2012 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Treguesi i dytë lidhet me kredinë. Huat marra nga bankat po përdoren më shumë për kapital qarkullues duke financuar shpenzimet momentale se sa për kryerjen e investimeve. Kështu përshembull, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, INSTAT raporton se në Shqipëri janë importuar rreth 22.5 miliardë lekë makineri me një rritje modeste prej 260 milionë lekësh krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Ky tregues pasqyron edhe pritshmëritë e bizneseve në lidhje me kredimarrjen gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Vrojtimi i BSH-së në lidhje me kreditimin, nxori në pah se pjesa më e madhe e bizneseve (66.3 %) nuk parashikojnë të marrin kredi gjatë kësaj periudhe, gjë e cila përkthehet në më pak investime dhe vende të reja pune.