E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Shqipërisë i duhet një President konsensual

Eduard Kukan

Eurodeputetët, apel politikës shqiptare për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Parlamenti Europian i bën thirrje politikës shqiptare që të zgjedhë një President konsensual. Gazetarja e Top Channel në Bruksel, Arta Tozaj, ka biseduar me disa eurodeputetë që theksuan se dialogu dhe bashkëpunimi mes palëve duhet të vazhdojë për reformat e rëndësishme, me qëllim që të ketë progres dhe rezultat konkret për 12 prioritetet e Bashkimit Europian. Për zhvillimet më të fundit politike në Tiranë, Eduard Kukan u informua nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa zëvendësi i tij, Viktor Bostinaru, nga deputeti socialist Taulant Balla. Por, me përfaqësuesit e të dyja palëve i vetmi që u takua ishte Libor Rucek. U informuam se gjërat po ecin mirë dhe se është realiste pritshmëria se nga fundi i muajit, apo deri në muajin maj, do të bëhet e ditur arritja e kësaj marrëveshjeje, para zgjedhjeve presidenciale. Dialog, dialog, nevojitet dialog mes partive në ato çështje që janë në shqyrtim: reforma zgjedhore, votimet në Parlament, të gjitha këto çështje që janë të përfshira në ato 12 prioritete, pesë nga të cilat varen nga Parlamenti dhe të tjerat janë në përgjegjësinë e qeverisë, u shpreh Kukan. Për eurodeputetin Viktor Bostinaru, shqetësimi i dytë i PE-së ka të bëjë me situatën për zgjedhjet presidenciale. Parlamenti Europian dhe institucionet europiane janë të mirinformuara për faktin se në vitet e fundit Shqipëria nuk ka përjetuar vetëm ngërçe, por edhe kriza madhore politike. Prandaj mesazhi ynë është se do të jetë detyra e të dyja blloqeve, Partisë Socialiste dhe maxhorancës, Partisë Demokratike, që të ulen së bashku dhe të zgjedhin një President konsensual, u shpreh Bostinaru. Për Kukan, zgjedhja e Presidentit të ri duhet të bëhet mbi respektimin e të gjitha palëve. U përmend gjatë diskutimit se është e nevojshme që zgjedhjet presidenciale të përgatiten në një mënyrë që të respektohen nga të gjithë. Kjo pasi në Kushtetutën tuaj përmendet Presidenti konsensual, dhe ministrja tha se janë të interesuar të kenë një dialog intensiv me opozitën për të përcaktuar një person i cili do të ishte gjerësisht i pranueshëm për tu zgjedhur në këtë post, u shpreh Kukan.

Meta në Bruksel
Në kuadër të një vizite në Bruksel, kreu i LSI-së, Meta, u prit në Parlamentin Europian nga Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore dhe nga Hannes Swoboda, kryetar i Grupit Europarlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve. Në qendër të takimeve, Meta i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet politike në Shqipëri, reformat si dhe përpjekjet për realizmin e 12 prioriteteve të KE-së.

Edi Paloka: Topi zbuloi lidhjen me Ramën
Deputeti i PD, Edi Paloka i cilësoi qesharake deklaratat që kreu i shtetit bëri një ditë më parë në një emision televiziv. Duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit Bamir Topi, i cili theksoi se kapitulli më PD është mbyllur nga ata që pritën atë ditë që ta largojnë qoftë me ngritje në detyrë, deputeti Paloka akuzoi Presidentin për lidhje të fshehta me kreun e opozitës, Edi Rama. Ky zotëri nuk e gjeti guximin të tregojë të vërtetën e kandidimit të dhunshëm. Ky paska qenë misteri me Ramën. Zotin Topi, PD-ja e mori e bëri ministër, nënkryetar partie, nënkryetar të Grupit Parlamentar dhe President, se një ditë do ta hiqte qafe?!, u shpreh Paloka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›