Ulet çmimi i bukës në disa furra, reagon shoqata e bukëpjekësve
Furra buke të ndryshme po abuzojnë me bukën masive, duke ulur peshën dhe për pasojë duke ulur çmimin në mënyrë abuzive. Kështu ka reaguar shoqata e bukëpjekësve të Durrësit nga fenomeni që ka ndodhur në disa furra buke në Durrës, ku është ulur çmimi. Sekretari i kësaj shoqate, Denis Simaku është shprehur se buka që shitet në këto furra me 60 lekë nuk është 750 gram, por 150 deri në 200 gram më pak, e në këtë mënyrë është arritur të manipulohet opinioni publik, i cili kujton se e blen më lirë bukën, por në fakt i është ulur gramatura dhe kjo është e pamoralshme.
Tre muaj më parë, shoqata ka dërguar në degën e tatimeve dhe taksave si dhe ka vënë në dijeni Task Forcën për atë që shoqata e ka cilësuar falsifikime të faturave tatimore, ushtrim të aktivitetit pa licencë dhe mashtrim të opinionit publik. Sipas tyre, një pjesë e bizneseve fizike kalojnë limitin e xhirove vjetore të 8 milion lekëve dhe detyrimisht duhet të kalojnë në biznese juridik. Në linjat e prodhimit të bukës masive ka dhjetëra punëtorë në të zezë dhe 12 furra kanë falimentuar në vitin e kaluar dhe të tjera linja prodhimi janë në vështirësi për shkak të konkurrencës së pandershme. Të gjitha furrat e licencuara e shesin bukën me peshë 800 gram me çmim 70 lekë dhe kjo sipas shoqatës së bukëpjekësve është lehtësisht e verifikueshme nga organet përkatëse. Në Durrës shoqata e prodhuesve të bukës ka afruar të njëjtat shifra të linjave të prodhimit duke thënë se numëruar afro 80 furra buke me leje të ushtrimit të profesionit, kurse më shumë se 20 janë në aktivitet të paligjshëm. Qyteti i Durrësit konsumon në një ditë deri në 80 mijë bukë, ndërsa së bashku me fshatrat përreth konsumi mund të variojë nga 100 mijë deri në 110 mijë bukë në ditë. Vitin e kaluar por edhe këtë vit prodhuesit e bukës janë përballur me vështirësi të shumta për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë vendin në shumë sektorë, ndërkohë që një ndikim të madh ën këtë krizë ka dhënë edhe funksionimi i mjaft subjekteve të ngjashme pa licencë duke konkurruar në mënyrë të pandershme biznese e rregullta. Sekretari i shoqatës së bukëpjekësve në Durrës, Denis Simaku ka deklaruar se organet tatimore nuk kanë marrë asnjë masë për bllokimin e furrave që janë pa licencë dhe diçka e tillë përbën një rrezik potencial edhe për konsumatorët që blejnë në këto furra bukë të pakontrolluar, jashtë standardeve dhe të prodhuar në kushte aspak normale. Aktualisht në Durrës buka shitet me çmime dhe peshë të ndryshme. Çmimi më i zakonshëm është ai i bukës me 70 dhe 80 lekë, por që pesha e tyre shkon nga 700-800 gram dhe jo më shumë. Kjo gjë është vendosur me vendim të Organizatës së Prodhuesve të Brumit dhe Bukës.