E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH i kërkon Berishës respektimin e të drejtave rome

Qeveria duhet të marrë masa konkrete për integrimin e minoritetit rom dhe komunitetit egjiptian në Shqipëri. Kjo kërkesë qëndron në bazë të një letre të hapur që Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe OJQ të tjera që merren me problematikat e pakicave dhe kategorive të veçanta të shoqërisë i kanë dërguar kryeministrit Berisha dhe zyrtarëve të lartë që kanë në dorë zgjidhjen e tyre. Me synim forcimin e dialogut konstruktiv ndërmjet partnerëve shtetërorë me shoqërinë civile, nxitjen dhe kontributin në përmirësimin e situatës së të drejtave të minoritetit rom dhe komunitetit egjiptian, një grup organizatash jofitimprurëse vendase dhe të huaja ju adresojnë përmes kësaj letre të hapur disa shqetësime dhe domosdoshmërinë e marrjes së hapave konkrete për zgjidhjen e tyre, bën të ditur letra drejtuar kryeministrit Berisha nga KSHH.  Sipas tyre, qëllimi i kësaj letre të hapur është që të merren masa për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom dhe komunitetit egjiptian dhe të nxitet bashkëpunimi për një integrim më të mirë të tyre në shoqërinë shqiptare. Ne konstatojmë se përgjithësisht, ndërgjegjësimi dhe vëmendja e autoriteteve shtetërore është rritur për sa i përket nevojës së respektimit të të drejtave të minoritetit rom dhe komunitetit egjiptian. Megjithatë, jemi të mendimit se nevojitet një bashkëpunim dhe koordinim më efikas ndërmjet institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, në partneritet me shoqërinë civile me qëllim që të ndërmerren masa konkrete në përputhje me nevojat e grupeve përkatëse; të bashkërendohen përpjekjet dhe të merren masa për të shmangur mbivendosjet e nismave në fushë, thuhet në letër ndër të tjera. Ajo sqaron se me gjithë përpjekjet që janë bërë për shkollimin e fëmijëve të këtyre komuniteteve, ka ende probleme në arsimimin e tyre dhe për rrjedhojë në punësimin dhe përfitimin e shërbimeve të tjera. Ndërkaq, vihet në dukje se strehimi, punësimi, arsimimi, përfitimi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore dhe kushtet e infrastrukturës në zonat ku ka përqendrim të këtyre komuniteteve janë gjithashtu probleme shqetësuese të tyre. Në fund letra përfundon me faktin se pjesëmarrja e minoritet rom dhe komunitetit egjiptian në vendimmarrje në nivel qendror dhe vendor vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Është e nevojshme të vlerësohen mundësitë e rritjes së kësaj pjesëmarrjeje, duke marrë në konsideratë përdorimin e formave të ndryshme, duke përfshirë edhe punësimin e minoriteteve në njësitë e qeverisjes vendore, strukturave policore dhe arsimore mbi baza komunitare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›