E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kosova dhe Miqësia Tiranë-Marsejë", fotot sjellin dramën e kosovarëve

Ekspozita fotografike "Kosova dhe Miqësia Tiranë-Marsejë", me anë të fotove solli në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit eksodin e mijëra kosovarëve, të cilët para 10 viteve u larguan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u vendosën në Shqipëri. Në atë kohë të vështirë, qyteti i parë që i erdhi në ndihmë Tiranës ishte qyteti i Marsejës, që i ndihmoi në atë kohë kosovarët, të cilët ishin larguara nga shtëpitë e tyre me forcë. Dhjetë vjet më parë Shqipëria hapi dyert për bashkatdhetarët kosovarë të dëbuar nga lufta e vitit 1999, duke u ardhur atyre në ndihmë. Për ta dhënë këtë histori si një nga raste që mund të ketë ndodhur fotoekspozita me titull Kosova dhe miqësia Tiranë Marsejë erdhi në përkujtim të 10-vjetorit të ardhjes së refugjatëve kosovar në Tiranë, më 29 mars 1999. Qyteti i Marsejës i lidhur miqësisht me qytetin e Tiranës ishte ndër qytetet e para që i erdhën në ndihmë Tiranës, duke kontribuar deri në përfundim me aksione të pa ndërprera humanitare në ndihmë të refugjateve nga Kosova. Ekspozita është kuruar nga Valter Gjoni. Në hollin kryesor të TKOB janë ekspozuar rreth 120 fotografi të realizuar 10 vjet më parë nga fotoreporterë shqiptarë dhe të huaj. Të përzgjedhura me kujdes nga kuratori Valter Gjoni, ato sillnin në sytë e shikuesve disa nga momentet më të vështira të asaj kohe. Punimet e katër fotografëve si Myftaraj, Gjoni, Fauchon e Calfas tregonin si momentin e mbërritjes së kosovarëve të parë në Tiranë, ashtu dhe ambientimin e tyre në kampet e ndërtuara për ta. Në një tjetër kënd të ekspozitës ndodheshin dhe foto të aktorëve politikë të asaj kohe. Njëkohësisht në këtë ekspozitë ishin ekspozuar edhe disa nga shkrimet e bëra në shtypin e kohës me reagime të shumta të personaliteteve ndërkombëtare, si dhe pasqyrimi i miqësisë mes Tiranës dhe Marsejës, Bashkia e së cilës mundësoi në atë kohë ndihma humanitare. Në këtë ekspozitë janë paraqitur edhe foto që tregojnë kontributin e vazhdueshëm të shoqatave humanitare si RHEA, rasti kur kryqi i kuq nga Marseja jep ndihmesë në Krujë. E veçantë është një foto, ku tregohet Sylvan Muselier, pronare e një klinike të njohur fizioterapie në Marsejë, pjesëtare e familjes së admiralit Muselier, motra e Mbretëreshës Gerandine, e angazhuar me një kontribut të njohur humanitar. I ndodhur në Shqipëri në atë kohë të vështirë, Pierre Calfas, Drejtor i Misionit Internacional të Bashkisë së Marsejës u shpreh se ekspozita duket shumë e bukur, dhe sjell një nga momentet më të vështira të historisë së Kosovës. E vlerësoj shumë mikpritjen e shqiptarëve, të cilët u treguan shumë të jashtëzakonshëm me kosovarët. Në kujtimet e mia janë përzemërsia dhe bujaria  juaj, pasi ajo ka qenë një periudhë e vështirë dhe për Shqipërinë, tha ai. Ekspozita e cila u hap dje ishte në kuadër të "Pranverës së Frankofonisë", nën kujdesin e Ambasadës Franceze dhe Bashkisë së Tiranës.
     

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›