Ushtria si pararojë e integrimit
Mbarë shoqëria shqiptare ka përcjellë me ndjenjë të veçantë krenarie përfundimin me sukses të misionit paqeruajtës të paqeruajtësve shqiptarë në operacionin “Liria e Irakut”. Kur në mars të vitit 2003 shteti shqiptar mori vendimin e dërgimit të trupave të tij në Irak, në të vërtetë u hap një faqe e re në historinë tonë jo vetëm ushtarake, por edhe kombëtare. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe të FA-ve, Parlamenti i Shqipërisë na bëri të ndihemi krenarë për angazhimin tonë ndërkombëtar në mbrojtje të paqes e lirisë. Tashmë pas 5 vjet e gjysmë, kur shumëkush në media e konsideron “ulje të flamurit të Shqipërisë në Irak”, do të thosha se flamuri i Shqipërisë është ngritur edhe më lart, sepse u mbyll me sukses një nga operacionet më të rëndësishme të këtij dhjetëvjeçari, gjithashtu ai është i ngritur në Afganistan, në Çad, në Gjeorgji, ku jemi të pranishëm me vëzhgues ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara, por edhe kudo gjetkë ku përfaqësuesit ushtarakë të Shqipërisë janë të pranishëm me misione në shtabet e NATO-s. Komplimentet dhe përgëzimet më të zgjedhura shkojnë për ushtaraket tanë: ushtarë, oficerë, nënoficerë dhe eprorët e tyre që me përkushtim atdhetarie dhe profesionalizëm të lartë operacional treguan se Shqipëria është jo vetëm e vendosur, por edhe e aftë për të qenë e suksesshme në mbrojtje të sigurisë e të paqes në botë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, prej më shumë se 5 vjetësh, autoritetet komanduese të forcave amerikane, por dhe të vendeve të tjera, kanë adresuar në emër të ushtarakëve shqiptarë vlerësimet më të mira: për korrektësinë e tyre shembullore në zbatim të detyrave operacionale, rregullave të angazhimit, zbatimit të ligjit humanitar ndërkombëtar, marrëdhënieve me autoritetet e pushtetit vendor dhe me komunitetin e popullsisë civile. Jo në pak raste shtypi i qeverisë irakiane ka karakterizuar Shqiptarët jo vetëm si ushtarë shembullorë, por edhe si qytetarë model në zbatimin e legjislacionit vendas e atij ndërkombëtar. Operacioni “Liria e Irakut” tregoi se strukturat tona ushtarake, veçanërisht njësitë komando e ato të reagimit të shpejtë, janë tashmë njësi të mirëprovuara nga shtabet ndërkombëtare si struktura operacionale sipas standardeve të kërkuara në luftën antiterror. Në këtë kuadër nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se prezantimi dinjitoz i FA Shqiptare në operacionet e ruajtjes së paqes ishte një nga treguesit më të rëndësishëm që Shqipërisë iu dha ftesa për në NATO. Nga ana tjetër, ky nivel i arritur dhe kjo përvojë e posaçme e trupës dhe e shtabeve pjesëmarrëse në këtë operacion, përbën modelin sipas të cilit duhen përgatitur të gjithë trupat e Forcave tona të Armatosura. Në të gjithë këtë proces të sukseseve të djemve shqiptarë në operacionet e paqes një mirënjohje e veçantë i drejtohet Komandës Amerikane në shtabin Qendror të Operacionit në Irak, e cila jo vetëm mbështeti nga pikëpamja logjistike kontigjentin tonë ushtarak, por ndau me ta edhe përvojën e klasin profesional për të përmbushur të gjitha standardet e një ushtaraku në luftën e sotme moderne. Përfundimi i mandatit të pjesëmarrjes sonë në operacionin e paqes “Liria e Irakut” është një fillim për autoritetet drejtuese e komanduese të Ministrisë së Mbrojtjes e të Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, për të vijuar punën edhe më tej, për të rritur operacionalitetin e çdo strukture ushtarake. Bazuar në frymën e konsensusit të pozitës dhe opozitës, pavarësisht nga ngjyrat politike të Komisionit parlamentar të Mbrojtjes apo të ministrave, çështjet e zbatimit të politikave të strategjisë ushtarake kanë qenë vazhdimisht të njëjta e të suksesshme. Unë gjej rastin që të shpreh konsideratat e mia dhe si ish-ushtarak me gradë madhore për ministrat Majko, Mediu, Oketa, të cilët së bashku e në vijimësi, nga marsi i vitit 2003 e deri sot kanë kontribuar në mbarëvajtjen e operacionit të paqes në Irak e në rajone të tjera të botës. Ajo që uroj të bëhet edhe më mirë, është vazhdimësia me trupat në Afganistan e në Çad, por veçanërisht në Afganistan, ku natyra e operacionit është më e vështirë dhe mund të kërkojë edhe trupa shtesë. Ne jemi të angazhuar të jemi konsistentë në përfshirjen tonë në kuadër të NATO-s edhe në operacione të tjera me trupa dhe me shtabe.