E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet përdorimi i telefonisë fikse

Nga Express më 23 maj 2011 në ora 22:34

Numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë gjatë vitit 2010 është rritur për së paku 5 mijë numra të rinj, por bisedat përmes telefonisë fikse kanë pasur një rënie të madhe, duke krahasuar me vetëm një vit më parë, rreth 67 për qind më pak.

“Bazuar në të dhënat e operatorëve, rezulton se në fund të vitit 2010 kemi mbi 88 mijë përdorues aktivë të telefonisë fikse, që paraqet një rritje në numrin e përdoruesve me mbi 5 mijë përdorues ose rreth 7.2 për qind më shumë krahasuar me fundin e vitit 2009”, thuhet në raportin e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

“Në vitin 2010 nga rrjetet fikse janë shpenzuar 179.35 milionë minuta, e cila përbën një rënie prej 67 për qind në krahasim me vitin 2009”, theksohet në raport. Pjesën më të madhe të trafikut të përgjithshëm në rrjetin e telefonisë fikse e përbën trafiku i origjinuar dhe terminuar brenda rrjetit me rreth 69 për qind të trafikut, kurse pjesën tjetër e përbëjnë trafiku drejt rrjetit mobil me rreth 21 për qind si dhe pjesën e mbetur ai ndërkombëtar me rreth 10 për qind.

Përgjithësisht, Kosova me 88 mijë numra të telefonisë fikse konsiderohet si vend me nivel shumë të ulët të penetrimit të popullatës në këtë produkt.

Norma mesatare e penetrimit të telefonisë fikse gjatë vitit 2010 është sjellë në rreth 4.36 për qind, nivel ky që vazhdon të jetë shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit, që sillet në rreth 25 për qind, si dhe të BE-së në mbi 40 për qind.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›