Fini pret Krasniqin
Në ditën e parë të vizitës në Itali, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është takuar me presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit, në këtë takim u bisedua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve duke filluar me formimin e grupeve parlamentare të miqësisë.
Krasniqi e njoftoi mikpritësin për zhvillimet aktuale në Kosovë... Nga homologu i tij italian, kryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi ndihmë për njohjen e gjerë ndërkombëtare që i duhet Kosovës, sidomos në vendet ku Italia ka ndikim, dhe paraqiti pengesën që i vjen Kosovës nga mosnjohja prej të gjitha vendeve të BE-së.
“Krasniqi, gjithashtu, kërkoi nga shteti italian që të ushtrojë ndikimin e tij në trajtimin e Kosovës njësoj sikurse shtetet e tjera të rajonit në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në takimet rajonale e ndërkombëtare. Kërkoi mbështetje edhe në procesin e integrimit evropian, krijimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërparlamentar, si dhe rikthimin e marrëveshjes për masat preferenciale tregtare”, njofton Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Fini, pasi i uroi mirëseardhje kryetarit Krasniqi dhe delegacionit që e shoqëronte, theksoi se në parlamentin italian ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën. “Ne e kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament”, theksoi Fini.
Ai vlerësoi se kjo vizitë është shumë e qëlluar dhe do t’i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve dhe vendeve tona. Gianfranco Fini theksoi se parlamenti i Italisë i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit të Kosovës me vendet e rajonit dhe në këtë rrafsh, ai vlerësoi rëndësinë e dialogut me Serbinë.