E Diel, 1 Nëntor 2026

21 vjet keqpërdoruesve në Bankën Kreditore

Nga Express më 23 maj 2011 në ora 19:00

Gjykata e Qarkut në Prishtinë u ka shqiptuar gjithsej 21 vjet burgim tetë të akuzuarve për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, lidhje të kontratave të dëmshme dhe mashtrim.

Mashtrimet kishin quar në falimentimin e Bankës Kreditore të Prishtinës (BKP). Katër nga të pandehurit ishin pjesë e Bordit Menaxhues të BKP-së, kurse të tjerë nga kompani të jashtme.

Nëpërmes një komunikate për shtyp, EULEX-i ka njoftuar se trupi gjykues i përbërë nga gjykatës vendas dhe të EULEX-it, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i dënuan Zeqir Shamollin dhe Besim Hasanin me nga 4 vjet burgim; Mehmet Nuredinin me 2 vjet burgim dhe Halim Gjergjizin me 18 muaj burgim për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Trupi gjykues e dënoi Orhan Ismajlin me 5 vjet burgim për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe lidhje të kontratave të dëmshme.

Hysen Sadiku u dënua me katër vjet e gjysmë burgim; Bedri Humolli 2 vjet kurse Mazar Kazagiqi me tri vjet e gjysmë burgim, për mashtrim.

Në rastin e të pandehurve Humolli dhe Nuredini, trupi gjykues vendosi t’u shqiptojë dënimin me kusht, ashtu që ata do ta vuajnë dënimin e tyre nëse i shkelin kushtet e parapara në dënimet e tyre.

Aktakuza është ngritur më 15 dhjetor 2006 pasi që Banka Qendrore e Kosovës kishte zbuluar parregullsi në Bankën Kreditore të Prishtinës (BKP), e cila më pas ishte mbyllur më 10 mars 2006.

Katër nga të pandehurit ishin pjesë e Bordit Menaxhues të BKP-së, kurse tre të tjerë nga kompani të jashtme.

Aktakuza ishte ndryshuar më 18 prill 2007. Gjykimi i cili përfundoi sot ka filluar më 2 mars 2010, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës e mori përsipër këtë lëndë në vitin 2009, e të cilën e drejtuan një prokuror i EULEX-it dhe një vendas.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›