E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulje 10% e TVSH për shërbimet farmaceutike

Aktualisht, pa TVSH tregtohen barnat mjekësore. Lehtësia do të prekë produktet kozmetike, materialet dhe pajisjet mjekësore

Veç barnave farmaceutike, të cilat tregtohen pa TVSH, një pjesë e mirë e materialeve dhe pajisjeve mjekësore, si dhe produkte të tjera dermokozmetike mendohet se do të kenë lehtësira për t’u tregtuar në vend. Produkte të tilla nuk janë 100 për qind shërbime farmaceutike të mirëfillta, siç konsiderohen barnat dhe medikamentet, por janë shumë pranë këtij grupi. Menjëherë pas uljes së akcizës për produktet e “luksit”, si parfumet, deodorantët apo “stolive” të tjera estetike, dje, në mbledhjen e qeverisë, është bërë publik edhe projekti për të ulur me 10 për qind Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH, për shërbimet farmaceutike, shëndetësore.

Në kuadrin e reformës në shëndetësi, mendohet të zgjerohen më tej hapësirat publike dhe private për shërbime që janë jetike për qytetarët shqiptarë. Sipas qeverisë, duke përgjysmuar TVSH-në, do të krijohet terreni i përshtatshëm që të investohen qindra miliona euro më shumë, duke i dhënë fund spekulimit të paskrupullt të disa importuesve të ilaçeve.

Kryeministri Berisha njoftoi dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, aplikimin së shpejti të një mase të re të qeverisë, uljen në 10 për qind të TVSH-së, në sektorin e shëndetësisë. Kjo ulje nuk do të jetë vetëm në shërbimin shëndetësor, po edhe në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit, ICT. Sipas Kryeministri, ky është vazhdim i mëtejshëm i revolucionit fiskal, si një proces i domosdoshëm për të lehtësuar dhe përmirësuar klimën e biznesit.

Ulja e taksës së vlerës së shtuar

Lidhur me uljen e TVSH-së në sektorin shëndetësor, kjo masë do të krijojë mundësi më të mëdha investimi në këtë sektor, shërbime më cilësore. “është mirëpritur dhe mbështetur nga komuniteti i mjekëve dhe i sipërmarrjes që operon në sektorin e shëndetësisë.

Me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë kemi rënë dakord që TVSH-ja në sistemin e shëndetësisë, për çdo gjë dhe për gjithçka, të jetë 10 për qind”, sqaroi dje gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, këtë vendim e kanë vlerësuar pozitivisht si komuniteti i mjekëve, ashtu dhe ai i sipërmarrësve privatë në fushën e shëndetit dhe të shërbimeve shëndetësore.

Reforma në shëndetësi

Kështu, në kuadrin e reformës në shëndetësi, qeveria kërkon të zgjerojë hapësirat publike dhe private për shërbimet e qytetarëve shqiptarë. “Do të mund t’i jepet fund, një herë e mirë, një spekulimi të paskrupullt të disa importuesve të ilaçeve, të cilët, me dokumente të falsifikuara, deklarojnë, me fakte, çmime 4 deri në 6 herë më të larta, sesa çmimet, me të cilat i kanë blerë dhe duke qenë se çmimi i lartë përcaktohet nga vlera e çmimit të blerë, bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta në ilaçe, në rajon e më gjerë”, sqaroi Kryeministri, duke bërë edhe një analizë të situatës në sektorin e barnave dhe farmaceutikës.

Sipas Berishës, një e pesta e buxhetit që Këshilli i Ministrave përcaktonte, i paguhej TVSH-ja nga sektori publik.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›