E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Shqipëri, takohen ministrat e Kulturës

Vizita Do të nënshkruajnë programin e bashkëpunimit

Një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Lutfi Haziri, mbërrin sot në Tiranë për një takim dyditor. Qëllimi i takimeve zyrtare që do të organizohen gjatë kësaj vizite, do të jetë vendosja e urave të bashkëpunimit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, sot në orën 15:30, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të zhvillohet një takim me drejtues të institucioneve homologe mbi inicimin e bashkëpunimit dhe nismave të përbashkëta konkrete në fushat përkatëse. Ndërsa nesër, ora 9:30, do të zhvillohet takimi zyrtar në zyrën e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj ku do të nënshkruhet dhe Programi i Bashkëpunimit Kulturor për vitet 2010–2012. Thuajse çdo vit është organizuar një muaj i kulturës Shqipëri-Kosovë, por gjithmonë programi i aktiviteteve të parashikuara ka lënë për të dëshiruar. Gjithmonë ka pasur diskutime për bashkëpunime të mirëfillta në fushën e kulturës, që të mos organizohen sa për të thënë. Takimet do të pasohen nga një koncert në Teatrin e Operës i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Maqedonisë, “TANEC”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›