Osama ishte koleg dhe mik i tij
“Ka shumë mundësi që Osama Bin Laden të fshihet në Uashington”, ka deklaruar Presidenti iranian, Mahmut Ahmadinexhad. Në një intervistë për televizionin amerikan “Abc” ai e shpjegoi bindjen e tij me faktin se Osama “është një ish-partner dhe mik i Bushit”. “Kanë qenë kolegë dhe miq në kohët e shkuara dhe kanë punuar së bashku në sektorin e naftës. Bin Laden nuk ka vepruar kurrë në Iran, por me Bushin”. Nga ana tjetër, Ahmadinexhad e ka quajtur qesharake hipotezën që kreu i “Al Kaedës” fshihet në Teheran.
Që prej 2001 nuk dihet nëse është gjallë apo ka vdekur. Për një dhjetëvjeçar, Bin Laden ia ka dalë që t’i shmanget ndjekjes më të madhe që i është bërë nga një superfuqi, një njeriu të vetëm në gjithë historinë botërore. Këshilltarët më të afërt të Obamës për çështjet e terrorizmit thonë se amerikanët nuk kanë asnjë ide se ku mund të ndodhet ai. Në mungesë të lajmeve konkrete, Bin Laden është shndërruar në një mit të rrethuar nga thashetheme. Ndërkohë, gjatë viteve janë transmetuar shumë video, apo kaseta me zërin që pretendohet të jetë i Bin Ladenit, por autenticiteti i tyre është vënë shpesh në dyshim. Askush nuk mund ta vërtetojë vërtetësinë e tyre.
#