E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatumet ogurzeza



Ultimatumet më të fundit që kryetari i Partisë Socialiste bën ndaj institucioneve demokratike legjitime, janë të papranueshme dhe flasin për një kthim të koncepteve demokratike me kokë poshtë ose ndryshe, për një agresion ndaj demokracisë së brishtë shqiptare, që aspiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Këto ultimatume janë tipike anarkiste, siç është edhe vetë autori i tyre, mishërim i aventurierit politik dhe njerëzor që në një mënyrë atipike, edhe për realitetin tonë politik paradoksal, pa ndonjë begraund apo karrierë politike, katapultohet në krye të partisë më të madhe shqiptare të majtë. Dhe ndoshta jo rastësisht imazhi fillestar që kanë shumë shqiptarë për të është ai i një burri të gjatë me një sëpatë të madhe në dorë, duke sulmuar një shtyllë elektrike në një nga rrugët e Tiranës. Tani, ky imazh i pseudo-reformatorit po na shfaqet këto ditë jo më me sëpatë në dorë, por në gjuhën ultimative të një anarkofashisti.

Me siguri për z. Rama dhe grupimin që e pason, zgjedhjet janë të rregullta vetëm atëherë kur ai të jetë kryeministër dhe partia që ai po eksperimenton, të fitojë njëqind për qind zgjedhjet. Por, për fat të keq, mungojnë edhe argumentet më elementare për të denoncuar parregullsitë e presupozuara në zgjedhjet e fundit parlamentare. Komisionerët socialistë në këto zgjedhje konfirmuan rezultatet e zgjedhjeve në skajet më të largëta të vendit dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet u përshëndetën nga opinioni i brendshëm dhe i jashtëm si zgjedhjet më të mira të realizuara në këto njëzet vjet. Partia Demokratike në qeverisje u detyrua që për shkak të rezultatit të zgjedhjeve të bënte të pamenduarën për një pjesë të madhe të opinionit, të bënte qeverinë e re me Lëvizjen Socialiste për Integrim, një nga partitë më të ashpra opozitare të saj. Edhe logjika më e thjeshtë jashtë politikës ta thotë se sikur zgjedhjet të ishin aq të parregullta sa thotë tani mbas zgjedhjeve z. Rama, Partia Socialiste do të kishte shumë më pak mandate sa ka tani dhe Partia Demokratike dhe aleatët e saj shumë më tepër.

Tani edhe një herë po nënvizojmë a do të kishin qenë të rregullta zgjedhjet për z. Rama po t’i kishte fituar qind për qind partia e tij? Me siguri se po. Meqë i ka humbur ai, zgjedhjet janë të parregullta dhe ka vendosur t’i fitojë në rrugë revolucionare, në emër të popullit. Po në emër të cilit popull kësaj here? Të kujtojmë se kemi shumë alergji nga terma të tillë si “në emër të popullit” që të kujtojnë diktaturën dhe abuzimin me popullin. Sa popuj ka Shqipëria për z. Rama, se populli shqiptar siç e përkëdhelte gjatë fushatës kameleonike, përtej së majtës dhe të djathtës, ka votuar dhe ka vendosur një herë në këto zgjedhje ashtu siç ka menduar ai? Z. Rama nga idealizma e parë tani na duket shembulli më destruktiv, se si ambicia politike mund të të errësojë edhe logjikën më të thjeshtë. Ky është shembulli i prijësit anarkofashist që do t’ia faturojë popullit ambicien e tij të paskrupullt për pushtet. Kur qëllimet nuk i arrin me rrugë demokratike dhe ligjore, merr popullin e tij në krah dhe niset me ultimatume. Janë shumë ushtarake dhe fashisto-komuniste ultimatumet ngado që vijnë në një vend që me shumë sakrifica mezi ka ndërtuar një demokraci të pranueshme, janë shenjë e juntave politike që projektojnë artikuluesit e tyre.

Në këto zgjedhje, z. Rama siguronte popullin shqiptar se kishte ngritur një sistem gjigand kompjuterik vëzhgimi dhe çdo votë ishte e sigurt dhe derisa kuptoi se e kishte humbur përfundimisht, nuk solli asnjë provë të besueshme nga ky sistem gjigand shumësysh, por flet tani si e ëma e Zeqos majë thanës, të hapë me dorën e vet çdo kuti votimi, gjë e cila edhe praktikisht institucionalisht dhe në mënyrë ligjore, nuk mund të bëhet ndryshe vetëm siç u bë, përmes Komisionit Qendror dhe KQZ-ve në rrethe, vetëm në qoftë se z. Rama do t’i numërojë sipas qejfit të tij me kanarinat e zëdhënëseve të tij të trimëruara për shkak të buzëkuqve agresivë ngjyrë gjaku... në buzët e të cilave ultimatumet ushtarake janë edhe më të papranueshme...

Se si do t’i numërojë ligjërisht këto kuti z. Rama që të mos ketë askush ankesa, vetëm ai mund ta dijë. Ose ai e di se kjo gjë nuk mund të bëhet ndryshe dhe ka një motiv të fortë për t’u thënë të vetëve: Ja këta i kanë vjedhur votat se po të mos i kishin vjedhur, do të kishim fituar ne! Jo rastësisht ultimatumet për gjoja mbrojtjen e votës së lirë të popullit përkojnë me skandalin e fundit që sipas qeverisë me sa duket e implikon z. Rama si kryebashkiak që ka vënë dorë mbi pronën e popullit, po të shprehemi me terma të përafërt, me qëllim përfitimi.

Nëse z. Rama dëshiron të bëhet lider modern, siç e ka vizatuar me snobizëm veten dhe politikën e tij socialiste, puna e parë që duhet të bëjë është të heqë dorë nga ultimatumet, sepse menjëherë na kujton kohën e diktaturës komuniste. Kujt do t’ia bëjë ultimatumet z. Rama; më shumë se gjysmës së popullit shqiptar, që aq shumë e do sa për hir të tij vendosi të qëndronte edhe kundër vullnetit politik të statutit të partisë së tij, sipas të cilit duhet të kishte dhënë dorëheqjen si humbës i zgjedhjeve? Ultimatumet mund t’i shkojnë më shumë shokut Gramoz Ruçi, sepse është një rrip i vjetër transmisioni i diktaturës komuniste, simbol i veglave të diktaturës. Xhanëm, kur i bën ai ultimatumet edhe i shkojnë… sepse të kalon si në shirit filmik historia e përgjakshme e 2 Prillit në Shkodër dhe revolucioni bolshevik i 1997-s.

Shpresa se njeriu i çuditshëm, z. Rama, pas largimit të njeriut po aq të çuditshëm z. Nano, do ta reformonte vërtetë Partinë Socialiste në një parti moderne evropiane, ishte një flluskë sapuni, kur opinioni shqiptar pa se ndër elementët më të rinj të kësaj reforme ishte shoku Gramoz Ruçi, kapota e vjetër e diktaturës komuniste. Margjinalizimi i figurave emblematike të Partisë Socialiste, në sensin pozitiv, si Rexhep Mejdani, Servet Pëllumbi, Maqo Lakrori, Ben Blushi, Arben Malaj, Ethem Rukaj etj. ishte një fatkeqësi për këtë parti, por edhe për politikën shqiptare. Një parti evropiane dhe moderne nuk mund të sillet në këtë mënyrë siç po sillet PS-ja e frustruar nga kryetari i saj, që mbasi nuk arriti të bindte elektoratin se kishte bërë një parti moderne që e meritonte pushtetin po tregon tani fytyrën e saj të vërtetë, fytyrën agresive dhe anarkiste, që kërcënon me kthim prapa dhe na bën edhe më pesimistë për të ardhmen e këtij vendit tonë.

Populli shqiptar ka nevojë për mesazhe përparimi dhe pune dhe jo për ultimatume që tentojnë të përsërisin skenarë të së kaluarës. Nuk ka nevojë që të rrihet më askush në emër të tij, as të thyhet asnjë qelq në emër të tij, por ka nevojë për prespektivë dhe motive për të mos ikur nga sytë këmbët, ka nevojë për programe integrimi për të kapur kohën e humbur dhe sigurisht ka nevojë për ligje që të respektohen në radhë të parë nga përfaqësuesit e tij, të votuar për të qenë në parlament dhe jo në rrugë të madhe, me ultimatume kobzeza. Për paradoks, populli që i ka votuar përfaqësuesit socialistë, u ka dhënë mandatin për të qenë në Parlament, ndërsa populli që nuk i ka votuar ata, ka votuar përfaqësues të partive të tjera; se në emër të kujt janë në rrugë më duket se edhe ata vetë nuk e dinë ose bëjnë sikur s’e dinë...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›