E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Opozita në Parlament, të miratohet ligji i Gjykatës Administrative



Biznesi kërkon që opozita të hyjë në Parlament, pasi miratimi i një ligji shumë të rëndësishëm për komunitetin e biznesit, siç është ai për Gjykatat Administrative, kërkon të kalojë me shumicë të cilësuar votash, mbi 2/3 e votave. Për të disatën herë biznesi i kërkon Parlamentit miratimin e ligjit të Gjykatave Administrative, si një mundësi për zgjidhjen e shumë penaliteteve të ngritura ndaj tyre. Por, ky ligj nuk mund të miratohet nëse në Parlament nuk merr pjesë dhe opozita, pasi miratimi i tij kërkon mbi 84 vota. Janë një sërë ligjesh që kërkojnë në mënyrë imediate hyrjen e deputetëve të opozitës në Parlament. Reforma në drejtësi, një ndër pikat kryesore të kërkuara nga BE-ja për integrimin e Shqipërisë, po ashtu kërkon mbështetjen edhe të opozitës për të kaluar në Kuvend. Me gjithë ftesën konstante të mazhorancës, opozita nuk ka pranuar të futet në Kuvend, duke mbështetur me refuzimin e tyre kërkesën për të hapur kutitë e votimit të zgjedhjeve të zhvilluara në qershor.

Përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile në Lezhë kanë nënshkruar dje një peticion në mbështetje të miratimit të ligjit për Gjykatat Administrative. “Parlamenti duhet të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative. Ai mbështetet si nga biznesi, ashtu edhe nga shoqëria civile”. Ky ishte mesazhi i tryezës së rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile të organizuar në Lezhë nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative, me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II (MCCA2), një marrëveshje dyvjeçare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe e administruar nga USAID.

Në diskutimet e zhvilluara gjatë tryezës u vu në dukje se sistemi i Gjykatave Administrative do të jetë një mekanizëm i efektshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë qytetarëve lidhur me çështjet administrative që kanë të bëjnë, ndër të tjera dhe me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit, regjistrimin e pasurive të patundshme apo dhe kthimin e kompensimin e pronave. Ndër risitë e projektligjit, i cili është përgatitur nga me ndihmën e ekspertëve nga Bashkimi Evropian dhe përfshin gati të gjitha rekomandimet e bëra nga ekspertët e qeverisë, të opozitës dhe nga ekspertë të huaj, në tryezë u evidentua fakti që në çështjet administrative, ai e vendos shtetin dhe qytetarët (individë, biznes dhe organizata të tjera) në pozita të barabarta, duke e kaluar barrën e provës mbi institucionet shtetërore; shkurton kohën për gjykimin e këtyre çështjeve nga një mesatare ekzistuese prej 130 ditësh në gjykatën e shkallës së parë në një maksimum prej 60 ditësh; shkurton në 10 ditë kohën për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave Administrative, si dhe u njeh atyre kompetencën për të ekzekutuar vendimet e veta, nëse institucionet shtetërore nuk e bëjnë këtë në kohën e duhur.

Në vazhdim të tryezave të rrumbullakëta në Kukës, Shkodër, Dibër e Gjirokastër, pjesëmarrësit nënshkruan dhe peticionin drejtuar Parlamentit shqiptar ku kërkohet miratimi pa vonesa të tjera i ligjit, i cili ndodhet në programin e punës së deputetëve, si dhe planifikimi nga qeveria i buxhetit të duhur për ngritjen e Gjykatave Administrative gjatë vitit 2010 e përcaktimi i mjediseve ku ato do të veprojnë. Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative përbëhet nga 34 organizata të biznesit dhe shoqata të tjera të shoqërisë civile. Në këtë koalicion bën pjesë Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Dhoma e Tregtisë e Industrisë-Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Konfindustria, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste të Shqipërisë, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, Agjencia Rajonale e Zhvillimit GS1 Shqipëri, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe disa Dhoma të Tregtisë të disa qyteteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›