E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi; Gjykata e Lartë shuan masën e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros



Gjykata e Lartë shuan masën e sigurisë “burg pa afat” ndaj Ilir Kumbaros, një prej të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Tashmë, edhe Kumbaro do të paraqitet në sallën e gjyqit si i akuzuar në gjendje të lirë, pa një masë arresti, ashtu sikundër janë edhe të pandehurit e tjerë në këtë proces. Pushimi i masës për të pandehurin u bë pas kërkesës së avokatëve në Gjykatën e Lartë, të cilët kërkuan të pushojë efektet kjo masë, pra të shuhet masa e sigurisë, ashtu sikundër i ka pushuar edhe për të tjerët, madje duke paraqitur argumentet juridike për këtë kërkesë. Ndërkohë, këtë kërkesë të pranuar dje nga Gjykata e Lartë, pak muaj më parë, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, të cilët po e gjykojnë të pandehurin Kumbaro bashkë me ish-kolegët e tij Arben Sefgjini e Avni Koldashi, e rrëzuan duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest” me burg dhënë në mungesë në vitin 2003. Në arsyetimin e rrëzimit të kësaj kërkese, gjykata u shpreh se "avokatët nuk kanë tagër (përfaqësim) nga i pandehuri që kjo kërkesë të bëhet nga ju". Pasi, sipas tyre, kërkesa për shuarje të masës së sigurisë bëhet ekskluzivisht vetëm nga i pandehuri apo i arrestuari. Ndërsa, sipas rekursit të paraqitur pranë Gjykatës së Lartë, thuhet se kjo masë sigurie është dhënë më 18 shkurt 2003 me kërkesë të prokurorisë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pasi ndaj Kumbaros ishin ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe torturës. "Pasi janë zhvilluar hetimet nga ana e organit të akuzës, më 1 korrik 2004 është arritur në përfundimin se ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro duhet vendosur pushimi i çështjes penale, me arsyetimin se akuza e shpërdorimit të detyrës është amnistuar me ligjin nr. 8202 të datës 27 mars 1997, "Për amnistinë". Gjithashtu, prokuroria ka vendosur pushimin e akuzës edhe për veprën penale të torturës me pasoja të rënda në bashkëpunim, me arsyetimin se “akuza mbetet e paprovuar deri në atë shkallë sa që çështja të paraqitet për gjykim”, - thuhet në pretendimet e avokatëve Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo. Sipas tyre, me pushimin e çështjes në korrik të 2004-s edhe masa e sigurisë arrest me burg caktuar ndaj Kumbaros është shuar, d.m.th. ka rënë nga fuqia që me vendimin e pushimit të procedimit penal. Gjithashtu, avokatët pretenduan në kërkesën e tyre se kjo masë sigurie që ndodhet në fuqi dhe si pasojë e kësaj, i pandehuri Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim dhe arrestuar në Angli, i ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›