E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatumi i Fule: Moszgjidhja e ngërçit frenon integrimin

Diplomati Komisioneri europian për Zgjerimin “kërcënon” politikën shqiptare: Për vizat vlerësojmë kriterin politik

Komisioneri europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fule, dje pasdite iu deshën vetëm pesë orë për të zhvilluar takime me krerët më të lartë të vendit dhe për të dhënë mesazhin e tij në lidhje me ndikimin e krizës politike në vend me të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe integrimin e vendit. Por komisioneri i Komisionit Europian duket se nuk priti shumë për të dhënë mesazhin politik. Këtë e bëri sapo zbriti në Aeroportin e Rinasit, ku i bëri thirrje klasës politike në vend ta gjejë vetë zgjidhjen për krizën, mbi parimet e respektit për Kushtetutën dhe atë të transparencës. “Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në BE. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Europian”, theksoi Fule sapo vuri këmbën në Shqipëri. Por gjithashtu komisioneri theksoi në mënyrë të qartë se nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Takimin e parë në Tiranën zyrtare, komisioneri Fule e bëri me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, Fule vlerësoi rolin e Topit, për rivendosjen e dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës në vend. Ndërsa nga ana e tij, në këtë takim, Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht rivendosjen e dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës dhe shprehu besimin se me vullnetin politik të palëve dhe angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale. Takimi i mëtejshëm i komisionerit Fule ishte me Kryeministrin Sali Berisha, pas të cilit u dha edhe një prononcim i përbashkët për mediat. Pas takimit, Berisha deklaroi se ai e kishte informuar komisionerin se i kishte ofruar opozitës propozime kushtetuese për zgjidhjen e krizës. “çështja duhet të zgjidhet në respekt të plotë me Kushtetutën dhe transparencën. Unë jam i mendimit se Kushtetuta dhe transparenca kanë përputhje. Mendoj se vendi ka mundësinë e plotë të zbatojë Kushtetutën dhe transparencën që ajo ofron”, deklaroi Berisha. Nga ana e tij, komisioneri Fule deklaroi se Shqipëria po ecte në rrugën e mbarë të vizave dhe se në muajin prill, Komisioni Europian do të diskutonte edhe kërkesën e Shqipërisë për këtë çështje. Por sipas Fules, gjatë shqyrtimit fillimisht do të shikohej kriteri politik. “Shqipëria ka bërë shumë progres drejt udhërrëfyesit. Muajin që vjen kolegët e mi do të paraqesin raportin në Komisionin Europian dhe Parlamentit Europian. Por kriteri i parë i vlerësimit do të jetë ai politik”, bëri të qartë komisioneri i KE-së. Më pas, ai rilexoi edhe një herë mesazhin për politikën shqiptare dhe zgjidhjen e krizës, të njëjtën deklaratë të cilën e kishte lexuar pak orë më parë në Aeroportin e Rinasit. Pas Kryeministrisë, komisioneri Fule iu drejtua selisë së Partisë Socialiste ku zhvilloi një takim me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, Rama në këtë takim i kishte shpjeguar komisionerit të KE-së, se precedenti i hapjes së kutive përmes hetimit parlamentar ekziston dhe ka ndodhur në vitin 2005. Në këtë kuadër Rama ka shpjeguar se ky precedent është një tjetër provë, së bashku me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, që vërteton se kërkesa e Partisë Socialiste është e ligjshme dhe në përputhje të plotë të Kushtetutës. Më pas komisioneri për Zgjerim zhvilloi një takim edhe kryeparlamentaren, Jozefina Topalli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›