Kuarteti i Paqes i Izraelit: Ngri të gjitha ndërtimet në Jerusalem
Pas disa ditëve me tension në rritje e sipër mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kuarteti ndërkombëtar për Lindjen e Mesme është takuar në Moskë për të parë nëse bisedimet mund të ringjallen mes izraelitëve dhe palestinezëve. Disa orë para seancës, një nga pjesëmarrësit, sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, mori një telefonatë nga Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili i dha asaj detajet e masave që qeveria e tij ishte e gatshme t’i bëjë në kuadër të përpjekjeve për të rritur besimin e ndërsjellë. Kjo ishte në përgjigje të kërkesave të SHBA-së për të treguar më shumë angazhim për bisedimet e paqes, pasi Izraeli shkaktoi acarim me një njoftim për të ndërtuar shtëpi të reja në një vendbanim hebrenj në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë dhënë hollësi në lidhje me kërkesat e bëra nga Hilari Klinton apo me reagimin që ajo ka marrë nga Benjamin Netanyahu. Por, me sa duket, kjo mjafton për George Mitchell, të dërguarin e Uashingtonit në Lindjen e Mesme për të udhëtuar në këtë rajon në fund të javës. Ai kishte shtyrë një udhëtim në mes të gjithë kësaj grindjeje, mes Uashingtonit dhe Tel Avivit. Në Moskë, PJ Crowley, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, tha se zonja Klinton dhe zoti Netanyahu kishin diskutuar veprimet specifike që mund të merren për të përmirësuar atmosferën. Z. Crowley shtoi se Uashingtoni do të shqyrtojë tani përgjigjen e Kryeministrit dhe të punojnë me izraelitët e palestinezët që të mbajnë negociata indirekte, duke lëvizur përpara. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, i ka bërë thirrje Izraelit që të ngrijë të gjitha aktivitetet sa i përket ndërtimit të vendbanimeve të reja. Duke folur në Moskë, në emër të Kuartetit të Lindjes së Mesme, i cili përbëhet nga OKB-ja, SHBA, Bashkimi Europian dhe Rusia, z. Ban dënoi planet e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja në Jerusalemin lindor të pushtuar. Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, i mirëpriti deklaratat e z. Ban. Por, ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, tha se kjo dëmtonte shanset e paqes. Korrespondentët thonë se komentet e shefit të OKB-së kanë shtuar trysnin ndërkombëtare ndaj Izraelit për të bërë lëshime.
#