E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Haxhiraj: Kam parë një Kadare shekspirian

Regjisori, njëkohësisht dramatizuesi i romanit “Darka e gabuar” të shkrimtarit Ismail Kadare, ka nisur provat në Teatrin Kombëtar. Duke pasur si garanci krijimtarinë e Kadaresë, Haxhiraj shprehet se e zgjodhi këtë roman për idetë që përcjell dhe morinë e personazheve që gjen në të

Regjisori Fatos Haxhiraj, së bashku me një kast aktorësh të përzgjedhur prej tij, është ulur në tavolinën e provave. Sapo ka nisur puna për vënien në skenën e Teatrit Kombëtar të dramatizimit mbi romanit e Ismail Kadaresë. Në konferencën për shtyp që u mbajt dje, regjisori, por edhe aktorët e panë romanin “Darka e gabuar” si një garanci paraprake për një shfaqje të mirë. Kjo pjesë u përzgjodh nga bordi i TK-së si më e mira e dramave kombëtare që iu përgjigjën ftesës së këtij institucioni. Regjisori Haxhiraj, i rikthyer pas një mungese 20-vjeçare, e përligj këtë angazhim me ekzistencën e një romani interesant shkruar prej Kadaresë. “E kam përzgjedhur këtë roman për idetë që ka dhe për faktin se kur e kam lexuar për herë të parë, pashë atje shumë personazhe që mund të viheshin në skenë. Më pëlqen ndërthurja që romani ka mes komikes, tragjikes, ironisë. Kadare është me të vërtetë shekspirian. Nëse bëjmë një krahasim të finales së personazhit të romanit “Darka e gabuar”, doktorit, është e ngjashme me finalen e Mbretit Lir. Por nëse vënien në skenë të këtij të fundit mund ta konceptosh si të duash, pa u rrekur t’i afrohesh modelit të vërtetë, për të cilin nuk ka një konturim, doktori është një personazh i së sotmes”, ka thënë regjisori Haxhiraj. Për të, bashkëpunimi me shkrimtarin Ismail Kadare ka qenë qenësor. Regjisori tregon se është konsultuar me të dhe ka marrë garanci për ndihmë të mëtejshme nëse do t’u duhet për të qenë sa më produktiv në 50 faqet e dramatizimit të romanit. “Mendoj se një pjesë e tillë kombëtare do ta nderojë teatrin dhe aktorët që luajnë. Ne jemi një skuadër që shpresojmë se do të japim më të mirën”, tha Haxhiraj në konferencën për shtyp. Ndonëse foli për vështirësitë që krijon masiviteti i karaktereve në vepër, Haxhiraj nuk dha të qartë një platformë të tijën regjisoriale me të cilën i qaset kësaj vepre. Theksoi vetëm që kasti i aktorëve (Ndriçim Xhepa, Artan Imami, Bujar Asqeriu, Naum Shundi, Pirro Malaveci, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Mehdi Malkaj etj.) do të veshin e zhveshin petkat e dy personazheve gjatë kohës që janë në skenë. “E kemi zgjedhur këtë mënyrë edhe si element artistik të shfaqjes, por edhe për mungesë të aktorëve”, ka thënë regjisori. Kjo është e disata herë që veprat e Kadaresë përshtaten për teatër apo për film. Në konferencën që i parapriu realizimit të filmit “Koha e Kometës” mbi romanin “Viti i mbrapshtë”, vetë Kadare u shpreh i pakënaqur me realizimet e mbështetura në veprat e tij. I pyetur për këtë fakt, regjisori Haxhiraj u shpreh se gjithmonë ekziston një drojë, e cila të shtyn të punosh edhe me më shumë korrektësi”. është dashur një vepër e dramaturgjisë kombëtare që Haxhiraj të rikthehet pas 20 vjetësh në Teatrin Kombëtar. “Edhe kam dashur të vë pjesë në skenë, por kam dashur të vë vetëm pjesë kombëtare. Kur isha pjesë e këtij institucioni punoja me pjesë të huaja, kur je jashtë kërkon të vësh pjesë kombëtare. Shyqyr që e gjeta këtë roman të Kadaresë, të cilin shpresojmë ta sjellim sa më mirë”. “Darka e gabuar” do të vijë në muajin maj, në prag të 65-vjetorit të Teatrit Kombëtar. Skenografia e pjesës do të realizohet nga Taulant Pustina, ndërsa kostumet do të realizohen nga maqedonasi Blagoj Micevski, i cili sapo është prezantuar te publiku me kostumet e shfaqjes “Elektra”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›