Ultimatumi i Kamishit

Nëse deri më 8 shkurt të këtij viti, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk jep përgjigje në pyetjet të cilat ia ka parashtruar Partia Demokratike, atëherë deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu thotë se do të dalë me fakte konkrete, që sipas tij, dëshmojnë lidhjen e liderit të VV’së me serbët.
“Nëse Albin Kurti deri më 8 shkurt në ora 24:00 nuk përgjigjet për këto pyetje, atëherë më 9 shkurt unë publikisht do të shpalos edhe fakte të tjera për zotin Kurti”, ka thënë Haxhiu, të dielën në një konferencë për media.
Por, nuk ka bërë të ditur se për çfarë faktesh bëhet fjalë.
“Fakte... më 9 shkurt i shohim, më 9 shkurt. E deri më 9 shkurt, ka kohë Albin Kurti të përgjigjet, sepse këtë e ka moral dhe obligim politik para qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.
Në seancën e 26 janarit të këtij viti, Haxhiu, i njohur si Komandant Kamishi, pati akuzuar udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, se ka marrë një zarf nga Beogradi. Madje ia kishte drejtuar atij tri pyetje, të cilat ia ka përsëritur në konferencën e së dielës.
“Albin Kurti e ka obligim moral edhe qytetar të përgjigjet publikisht për takimin e tij me serbët në Klinë në vitin 2004. Edhe një herë publikisht e ftoj që të tregojë kush ishin serbët me të, kush ishin serbët me Albin Kurtin, a ishin serbë të Kosovës, a të Serbisë dhe pse ishte mbuluar me batanije kur u takua me ta. Kush është gruaja serbe, e cila e ka takuar Albin Kurtin vazhdimisht në Pogradec, e me të cilën është parë edhe në Prishtinë. Le të përgjigjet Albin Kurti çfarë raportesh ka me këtë grua. Dhe pyetja e tretë, çka përmban zarfi i dërguar nga Beogradi me datën 28 shtator 2011, përmes linjës së rregullt Beograd- Prishtinë, i dërguar nga vajza e një ish-ministri serb të Milloshevicit”, ka thënë Haxhiu.
Zyrtarët e VV’së, veç i patën demantuar këto deklarata të Haxhiut në një konferencë për media, të shtunën. Florin Krasniqi dhe Visar Ymeri i patën quajtur shpifje pretendimet e Haxhiut.
Ky i fundit, ndërkaq, është shprehur i gatshëm që të ballafaqohet edhe në Gjykatë me Kurtin në lidhje me të gjitha çështjet e ngritura nga ai.
“Nëse ai pretendon se jam duke thënë të pavërteta, atëherë le të më paditë në Gjykatë dhe unë jam i gatshëm që të jap dëshmi dhe dëshmitarë në lidhje me këto që i thashë”, ka thënë ai.
Mirëpo, kjo si duket nuk u bën aspak përshtypje zyrtarëve të Vetëvendosjes, të cilët vazhdojnë t’i demantojnë çështjet e ngritura nga deputeti i PDK’së.
Deputeti i partisë së Albin Kurtit, Florin Krasniqi i ka quajtur akuza të pabaza dhe shantazh publik ultimatumin e Haxhiut.
“Kjo që po e bëjnë, është vetëm çorientim i opinionit publik për ato çka realisht po ndodhin, me tendenca për ta fshehur të vërtetën e takimit të Thaçit me Tadicin”, ka thënë Krasniqi, për Express.
Haxhiu ndër të tjera ka thënë se ka marrë edhe shumë mesazhe nga disa aktivistë të VV’së, të cilët e paskan falënderuar për demaskimin e Kurtit në opinion.
Për Krasniqin, këtu nuk ka asgjë për t’u habitur.
“Ata tash po dalin se kinse ka një zarf, por nuk është zor për ata që të marrin një njëri e t’ia japin 500 euro a më shumë e t’i thonë dil e thuaj se kam marrë një zarf apo kam dërguar një zarf te Kurti”, ka thënë ai.
“Ata bëjnë gjithçka, ata nuk kanë ligj, ata janë mbi ligjin dhe e meritojnë burgun”, është shprehur Krasniqi.
Ai madje u zotua se nuk do të lë gur pa lëvizur në vend, derisa t’i dërgojë në burg njerëzit të cilët po e dëmtojnë Kosovën.
“Ata janë pjesë e një organizate kriminale dhe e meritojnë burgun. Krejt çka po thonë, janë shpifje, asgjë nuk është e vërtetë, ndërsa ky ultimatum s’është gjë tjetër veçse një shantazh publik që po i bëhet liderit të Vetëvendosjes”, është shprehur deputeti Krasniqi.
Ndryshe, këto nuk janë akuzat e para ndërmjet deputetit të PDK’së, Bekim Haxhiu dhe anëtarëve të Vetëvendosjes. Në veçanti vlen të përmenden fyerjet ndërmjet tij dhe deputetit Florin Krasniqi, gjatë seancave të Kuvendit. Ndërkohë që asnjëra palë ende nuk ka dhënë ndonjë fakt konkret në lidhje me akuzat, të cilat ia kanë vënë përsipër njëra-tjetrës.