Ultimatumi i Merkel

“Gjermania do të bllokojë ndihmën e mëtejshme financiare për Greqinë, nëse ky vend dështon t’i përmbushë plotësisht reformat për të cilat është pajtuar në bazë të pakos së shpëtimit”, thekson Merkel në paralajmërimin e fundit drejtuar Greqisë.
“Në qoftë se konsideron se Greqia nuk i ka plotësuar kushtet e parapara për ndihmë, Gjermania do të përdorë të drejtën e saj të vetos”, nënvizon nënkryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Michael Fuchs.
“Edhe nëse gota është gjysmë e plotë, kjo sigurisht që nuk është e mjaftueshme për të siguruar një pako të re ndihme”, paralajmëron Fuchs, derisa thekson se Gjermania nuk mundet dhe nuk do të pranojë një gjë të tillë, ngase tani ndodhet afër kufijve të durimit.
Gjermania, si ekonomia më e madhe e Europës, ka kontribuar më së shumti në fondin e kreditimit të eurozonës. Ajo, njësoj sikurse edhe partnerët e tjerë evropianë, tashmë është duke pritur raportin e posaçëm të FMN’së, Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, lidhur me zbatimin e programit ekonomik të Qeverisë së Greqisë. Ky raport do të përcaktojë nëse Greqia do të marrë këstin e ardhshëm të kredisë, në vlerë prej 31.5 miliardë eurosh.