Vatileaks, ish-ndihmësi i Papës para gjyqit
Gjykatësit kanë vendosur të hënën se ish-ndihmësi i Papa Benediktit XVI duhet të dalë në gjyq, nën akuzat për vjedhje dhe lëshim në publik të dokumenteve konfidenciale të Kishës.
Një tjetër punonjës i Vatikanit, i akuzuar si bashkëpunëtor, po ashtu duhet të paraqitet para gjyqit. Ish-ndihmësi i Papës, Paolo Gabriele, 46 vjeç, është arrestuar në muajin maj, pasi policia ka gjetur dokumente konfidenciale në apartamentin e tij në Vatikan. Pas arrestimit të tij, Vatikani ka urdhëruar hetim të rastit.
Gabriele u ka thënë hetuesve se ai donte të çrrënjoste korrupsionin, për të cilin Papa nuk ka qenë i informuar sa duhet. Nëse dënohet, ai rrezikon të përballet me gjashtë vjet heqje lirie.
Sipas ligjeve të Vatikanit, Papa ka të drejtë në çdo kohë të ndalojë gjykimin e Gabrieles ose ta falë atë.
13 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Vatileaks, ish-ndihmësi i Papës para gjyqit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip