Ultimatumi i Sallakut: Jo më ndeshje si ndaj Himarës
Presidenti i skuadrës së Partizanit ka kërkuar nga lojtarët, që në katër javët e mbetura të merret maksimumi i mundshëm
Nuk ka kaluar në heshtje loja e dobët ndaj Himarës për skuadrës e Partizanit. Para seancës së djeshme stërvitore, presidenti i skuadrës së kuqe, Lulzim Sallaku ka kryer një mbledhje me skuadrën. Ai është shprehur i pakënaqur nga paraqitja e lojtarëve të tij në përballjen ndaj himariotëve, ndaj të cilëve u humbën dy pikë të rëndësishme.
Loja e dobët
Por ajo që ka lënë më shumë të pakënaqur drejtuesin e demave të kuq ka qenë loja e dobët e skuadrës së tij, paraqitje, e cila solli dhe pakënaqësi te tifozët e ekipit në shkallët e stadiumit Selman Stemasi.
Ultimatumi
Presidenti i skuadrës së Partizanit kërkoi që ekipi të mos përsërisë më lojën ndaj Himarës në katër ndeshjet e fundit në kampionat, te të cilat duhet të merret maksimumi nga lojtarët e tij.
Irritimi
Ka mjaftuar një ndeshje e dobët, që në shkallët e stadiumit, tifozët të shprehin pakënaqësi ndaj skuadrës. Kjo ka qenë dhe një detaj i rëndësishëm për klubin, një shtysë që skuadra të japë maksimumin në sfidat e ardhshme, pasi vetëm lojërat e mira dhe me rezultat do të ndikonin pozitivisht në atmosferën e tifozërisë së demave të kuq, të cilët kanë qenë mbështetje kryesore për ekipit në këtë kampionat.
Pritshmëria
Sjellja e tifozërisë tregoi nga ana tjetër, që pritshmëria ndaj ekipit është e madhe, pasi tashmë ata shikohen me syrin e Superligës. Në sfidën ndaj Himarës, skuadra nuk u shfaq bindëse me lojën e saj, ku kësaj paraqitje iu bashkangjit dhe rezultati i arritur. Barazimi në fundjavë nuk ka ndikuar në renditjen e ekipit apo në distancën ndaj Pogradecit, por ai rezultat ka shtyrë festën e ngjtjes në Superligë.
Superliga
Aktualisht, Partizani ndodhet në kuotën e 51 pikëve, nëntë pikë më shumë se Pogradeci i vendit të tretë, i cili ka dhe një ndeshje më pak për të zhvilluar në kampionat. Barazimi ndaj Himarës ndodhi në një situatë komode për Partizanin, një hap fals që nuk ndikoi aspak në renditjen e skuadrës.
Por nga ana tjetër barazimi i fundit solli në pah dhe dobësinë e Partizanit në këtë kampionat, pikërisht hapin fals ndaj skuadrave të vogla, të cilat kanë qenë dhe një problem më vete për ekipin e Partizanit këtë sezon. Gjithsesi, ngjitja në Superligë është ekryer tashmë, por matematika është ajo që shpall zyrtarizimin e këtij kapërcimi.
