“Une, 82-vjecari i torturuar per flamur”
ELBASAN - Ne periferi te qytetit te Elbasanit, ne lagjen e njohur me emrin Fushe Mbret, prej vitesh jetojne qindra familje kosovare, ndaj dhe elbasanasit e njohin ndryshe ate ‘si nje Kosove e vogel’. Kosovaret e pare jane vendosur aty ne vitet 1924-1932 dhe me pas do te vinin dhjetera bashkekombes te tyre, derisa sot numri arrin ne 250 familje. “Jemi shperngulur nga trojet tona se jemi perndjekur nga serbet”, thote per ATSH-ne 82-vjecari Niman Shalaj, i cili deri ne vitin 1994 ishte person ne kerkim nga ky shtet. Lagjja ku jetojne kosovaret, e njohur ndryshe dhe si lagjja "Skenderbeu", rrethohet vetem me vila dy apo me shumekateshe dhe ka nje infrastrukture per t’u admiruar. I kane ngritur vete dhe duket se kane zbatuar nje fare plani, kur shikon se ato jane ndertuar uniforme dhe njera pas tjetres. Banoret e kesaj zone thone se kane qene te paret e tyre qe jane vendosur ketu, ata qe e kane emertuar lagjen me emrin Fushe Mbret, pasi toka ku ata u ngulen ne vitet 1924-1932 ishte dhurate e Ahmet Zogut.
***
Kryefjala e banoreve te kesaj zone ne keto dite eshte Pavaresia e Kosoves. Me te lumtur duken se jane te moshuarit, te cilet kane nje jete qe e presin kete dite. Niman Shalaj (Halilaj), 82 vjec, nga Lupaveci i Gjakoves, jeton prej gati 30 vjetesh ne lagjen Fushe Mbret. I arratisur nga Kosova per arsye politike, i moshuari derdh lot nga gezimi se Kosova se shpejti do te jete e pavarur.
Nimani e kujton mire momentin, kur me 1956, hyri ne ambasaden shqiptare ne Beograd dhe protestoi kunder regjimit serb e largimit te shqiptareve nga Kosova. Protesten ne ate kohe e pagoi rende. U denua nga regjimi serb per politike dhe si pasoje u burgos fillimisht ne Gjakove, Prishtine, Peje. Por, edhe gjate viteve te izolimit, 82-vjecari nga Lupaveci i Gjakoves, qe prej mbi tre dekadash jeton ne Shqiperi, kujton se nuk do t’i ndalte perpjekjet e tij per flamur dhe pavaresi. “Gjate periudhes qe isha ne burgun e Gjakoves, shok qelie kisha nje qytetar nga Vlora, i cili quhej Skender Skenderi, edhe ky i burgosur per politike. Te dy se bashku rame ne marreveshje te ngrinim flamurin shqiptar”, rrefen Nimani. "Dhe ashtu beme. Grisem kellefin e jorganit te kuq dhe e ngritem ne fushen e ajrosjes ku dilnim vetem per pak minuta", pohon ai. Kujton se pas ketij veprimi, provoi mjaft torturua nga serbet dhe kur u lirua prej andej vendosi qe te arratiset nga Kosova, pasi e ndiente veten te rrezikuar.
***
Shqiperia ishte vendi qe zgjodhi Nimani kur u arratis nga Kosova ne vitin 1959. Por, edhe ketu ai do te perballej me probleme te shumta. Si fillim qendroi 6 muaj ne hetuesine e Shijakut dhe me pas u internua ne kampin e Cermes ne Lushnje, qendroi per nje periudhe te gjate kohore, nga viti 1959-1974. Atje u martua dhe me nje vajze kuksiane me te cilen ka sjelle ne jete 5 femije. Ne vitin 1974, kur fitoi lirine u vendos ne qytetin e Elbasanit, ne lagjen Fushe Mbret, ku jeton aktualisht. “Gjithcka e kisha ne Kosove, mendjen, dashurine, familjen time”, rrefen 82-vjecari, ndersa shton se “cdo nate qaja nen jastek dhe kujtoja me mall vendin tim, prinderit e mi”.
***
Plaku qe tani gezon vigjiljen e Pavaresise, thote se per here te pare ne Gjakove, pas arratisjes, shkoi ne vitin 1994 per te percjelle ne banesen e fundit nenen e tij. “Kur arrita ne Gjakove, kujton 82-vjecari, me spiunuan dhe me erdhi urdhri nga serbi se per 6 ore duhet te largohesha nga Kosova”. 82-vjecari ndalet dhe ne eksodin e vitit ’99 kur mijera familje kosovare u shperngulen me dhune nga Kosova. Do te donte te luftonte ate dite per vendin e tij, por, sic thote ai, mosha bene te veten. “Gjate eksodit prita me shume se 32 kosovare. Prej me shume se tre muaj ne shtepine time ketu ne Elbasan. I mbajta dhe as vete nuk e di se si Zoti na ndihmoi, qofte per ushqime, qofte edhe per vend”, vijon i moshuari. “Te shpallet pavaresia, une do te shkoj ne kembe ne Kosove, do te puth token teme, ate toke qe kam me shume se 60 vjet qe e vajtoj nen jastek”, thote ai dhe lotet nuk e lene me te flase.